Ambasadori i Britanisë së Madhe në vendin tonë u ka bërë thirrje të rinjve shqiptarë që të mos largohen nga Shqipëria.
Në fjalën e tij që mbajti në panelin e Kongresit Kombëtar të Arsimit në Tiranë, ambasadori Alastair King-Smith foli për të rinjtë që udhëtojnë ilegalisht me gomone apo rrugë të tjera transporti ilegal drejt Britanisë së Madhe.
Ai u shpreh se këto janë mënyra të rrezikshme dhe të mos bien pre e shfrytëzimit nga kontrabandistët për pasurim të menjëhershëm.
Diplomati britanik bëri me dije se shumë shpejt Britania e Madhe do të financojë një program në Shqipëri për të nxitur mundësitë e punësimit të të rinjve dhe për t’u dhënë atyre aftësitë e tregut të punës.
“Shumë të rinj largohen nga Shqipëria. Këta të rinj shfrytëzohen nga kontrabandistët, ne i nxisim që të ndalojnë. Premtimet e pasurisë së shpejtë janë gënjeshtra pasi do detyrohen të përfshihen në aktivitet kriminal dhe drogë, por këto kushte do bëhen edhe shumë të rrezikshme. Ju bëj thirrje të rinjve që mos të udhëtojnë në mënyrë të jashtëligjshme. Rruga drejt suksesit nuk varet nga gomonet, varet nga arsimi dhe puna e palodhur. Nuk mjafton që të japim argumente intelektuale. Ndaj ne do lançojmë një program për të nxitur mundësitë e punësimit të të rinjve që t’u japim aftësitë që kërkon tregu i punës”, tha Alastair King-Smith.
Ambasadori i Britanisë së Madhe bëri thirrje edhe për krijimin e mundësive më të mira arsimore për fëmijët e zonave të thella.
“Këtu kemi komunitet në zona rurale malore të thella. Por kemi edhe komunitetet të disavantazhuara në qytete që përballen me rrethana të vështira, duke shkaktuar ose braktisjen e shkollës ose mosfrekuentimin e shpeshtë të saj. Të sigurohemi që ne ju japim fëmijëve kohën edhe mundësinë për të shkuar në shkollë”.
Ambasadori King-Smith foli edhe për bashkëpunimet në arsim mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë.
“Kemi rënë dakord që duhet të nxisim angazhimet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë dhe jam i lumtur teksa shoh këtë plan të realizuar. Shumë Universitete nga Britania e Madhe po zhvillojnë kurse këtu në Shqipëri. Së shpejti do realizojmë partneritet të ri në sistemin mjekësor me standarde britanike këtu në Shqipëri”, theksoi ambasadori i Britanisë. /tvklan.al