Kur Edi Rama përmendi emrin e tij si presidenti i ri, mes vlerësimeve si figurë ushtarake, skepticizmi kryesor ndaj Bajram Begajt kishte të bënte me mungesën e eksperiencës në jetën publike. Këtë e pranoi edhe vetë presidenti i ri.
Skandali i parë diplomatik ndodhi në vizitën e parë në Kosovë, kur nuk shkoi në zyrat e LDK, çka shkaktoi debat në opinionin publik.
Gafën e dytë protokollare Begaj e bëri me homologun Matarela. Teksa po luhej himni italian, presidenti nuk e nderoi, por vazhdoi të ecte, pavarësisht insistimit të vazhdueshëm të Matarelës, i cili po mundohej t’i tregonte se ishte duke vepruar gabim
Edhe për letrën plot me gabime drejtuar familjes mbretërore britanike, Bajram Begaj u kritikua gjerësisht në opinionin publik.
Flamur Gashi ka qenë këshilltar i dy presidentëve paraardhës të Begajt dhe ndryshimin e stafit presidencial dhe mungesën e konsultimit i shikon si shkaqet kryesor të këtyre gabimeve. “Këto gabime po ndodhi për shkak të moskonsultimit me këshilltarët juridikë dhe fjalimshkruesit e tij”, thotë Gashi për Euronews.
Ndërsa për analistin Aristir Lumezi, gabimet kanë të bëjnë edhe me angazhimin e vetë presidentit në këto akte protokollare. “Një mungesë vëmendjeje nga ana e presidentit. Duket që ka një mungesë formimi nga ana e presidentit”, u shpreh Lumezi.
Diplomati Gashi edhe analisti Aristir Lumezi mendojnë se këshilltari Edvin Shvarc të cilin Bajram Begaj e shkarkoi, mund t’i kishte shmangur këto gabime. “Edhe për shkak të shkarkimit të këshilltarit Edvin Shvarc që ka pasur disa presidentë, një personalitet i spikatur, me një përpikëri gjermane në punën e tij”, thotë Lumezi.
“Nëse sot do ishte në punë Shvarc, s’do kishte ndodhur asnjë nga gafat, as ajo në Kosovë, as ajo me presidentin italian”, mendon Gashi.
Gashi thotë se gafat nuk janë pa pasoja për diplomacinë shqiptare. “Pasojat mund të jenë tepër të mëdha, në planin e parë moralisht dhe institucionalisht e dëmtojnë prezantimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, por edhe politikisht dhe diplomatikisht janë të dëmshme me prezantimin e Shqipërisë”, shprehet diplomati.
Ndërsa për Lumezin, pasojat më të mëdha të këtyre gabimeve të Presidentit kanë të bëjnë me imazhin e Shqipërisë. “Rrezikshmëria e vetme këtyre gafave apo gabimeve ka të bëjë vetëm me imazhin e shtetit, se tegojnë se në çfarë niveli ndodhet shteti, duke filluar që nga presidenti”, thotë gazetari Aristir Lumezi.