Ligji i konfiskimit/ Kraja: E thjeshtë, investitorë e oligarkë thirren në prag të zgjedhjeve 2015, ‘hajde kontribuoni’!

0
139

Akil Kraja, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, e ka fare të qartë panoramën që po synon të pikturojë Qeveria Rama me të ashtuquajturin Ligj të Konfiskimit të ndërtimeve pa leje dhe që vë në shënjestër, njerëzit më të pasur të vendit.

Momenti i zgjedhur nga Edi Rama i sjell atij përfitime të dyanshme, në aspektin teknik, por ca më shumë në aspektin politik.

Në emisionin “Kafe Shqeto” sot i pyetur nga Flavio Qarri, eksperti i çështjeve publike dhe të politikave të zhvillimit, Kraja, argumentoi se qëllimi i kryeministrit Rama “është për të trembur ata investitorë, pse jo dhe pronarë mediesh, pse jo pronarë kompanish apo oligarkë, të cilët në prag të zgjedhjeve të 2015-ës thirren në rresht “hajdeni kontribuoni” për zgjedhjet…”.

Flavio mori shkas për t’i dëgjuar mendimin, z. Kraja, pasi dje, protagonisti kryesor i skandalit të shembjeve në resortin “Prestige”, Taulant Balla, refuzoi t’i përgjigjej pyetjeve të gazetarëve në një kohë që kishte bujtur dy muaj në suitën presidenciale të pikërisht këtij resorti luksoz.

Ndiqni një pjesë nga intervista dhe shpjegimin konciz të z. Akil Kraja:

Flavio: Sot do të flasim për ato katet pa leje, të cilat nuk i kishin parë. Ka qenë një nga lëvizjet më të çuditshme të historisë, u duk sikur shpërtheu lufta Rama –Veliaj, u duk sikur do të shkonte vet Edi Rama t’i shembte ato si atëherë më sëpatë në Kinostudio…. Z.Kraja, pse u kujtua pikërisht tani qeveria, ka ndonjë reflektim nga ana saj?

Kraja: U kujtua pikërisht tani sepse afera e inceneratorëve ka arritur pikun, sepse të dhënat sensitive të qytetarëve shqiptarë shiten për më pak – për më pak se 1 bitkoin, dje ishte 0,04 vlera më duket – pra shiten për asgjë të dhënat e qytetarëve. Dalin tani se kriza e inflacionit, e çmimeve, shpopullimi realisht, situata është e tillë, gjendja e skandalit permanent kërkon që çdo ditë duhet prodhuar një diçka për të mbytur lajmin. Kështu që të jem i sinqertë me ju, është një jo lajm, është një vendimmarrje publike që kërkon thjesht t’u hedhë hi sy, mediave, shqiptarëve, publikut të gjerë për të mbuluar skandalet, degradimin fatkeq të një qeverisjeje që po rrokulliset gjithnjë e më shumë drejt asaj që është më e rënda, shkëputja totale nga vendi, nga e përditshmja e shqiptarëve.

Kështu që kur ju flisni me të drejtë dhe pamjet që ju tregoni për një Tiranë të betonizuar, le t’i marrim shifrat pak më tutje duke u përpjekur që ta përfshijmë këtë vendimmarrje në kontekstin që përshkrova, në këtë rrokullisje, degradim të qeverisjes.

Viti 2022, gjashtëmujori i parë për Tiranën ka kapur një rekord të përvitshëm. Çdo vit themi “ka rekord, ka rekord ndërtimesh të reja”, çdo vit, dhe ja rekordi më i fundit: Brenda 6-mujorit janë dhënë mbi 1,2 milionë metra katrorë ndërtime të reja aq sa ç’është dhënë në 2019-ën, pra brenda gjashtëmujorit të 2022-it!!!

Flavio: Rekordi më i preferuar është se Veliaj ka dhënë më shumë leje ndërtimi se të gjithë kryetarët e bashkive të marrë së bashku.

Kraja: 6 milionë metra katrorë! 6 miliona metra katrorë! Dhe nëse ndërtojmë mbi këtë logjikë, pra ishim në rekord, tani vetë Bashkia, vetë shteti na thotë “paskemi rekord mbi rekordin”, që do të thotë janë dhënë nuk e di sa qindra mijëra kate leje ndërtimi me leje dhe qenkan disa qindra kate të tjera pa leje mbi këto që janë me leje!!!

Flavio: Si ndodh që një ndërtues i fuqishëm, nga këta që kanë pasur komunikim direkt me kreun e Bashkisë së TIranës, pse këtij ndërtuesi i leverdis të mos ketë leje se presupozohet se ka “një kosto” ajo leje, të rëndësishme; ia jep dikujt (nuk po them Kryetarit, se nuk merr Kryetari lekë, se nuk e ka lënë mendja, marrin ata “poshtë”), por…

Kraja: Po ju përgjigjem menjëherë, përgjigje teknike dhe më pas atë politike.

Përgjigja teknike është shumë e thjeshtë: sistemi i taksave të ndërtimit në Tiranë ka ndryshuar në vitin 2015, duke krijuar atë që taksa më përpara ishte mbi atë që quhej investimin, 4% e vlerës së investimit që jepej në fillim kur merrej leje dhe këta më pas, në 2018-ën bënë një kundra-sens ekonomik, e çuan në 8% të shitjes së çmimit! Që do të thotë se për të marrë një leje ndërtimi, nëse ti do të bësh 100 metra katrorë, do të paguash 8% të çmimit të tregut për të marrë lejen.

Pra, sa më pak të deklarosh në kërkimin e lejes, aq më pak taksa paguan. Dhe çfarë thotë sistemi aktual?! Ti mund të bësh dhjetë kate me leje, mund të ndërtosh 14. Këto 4 nuk ke paguar taksën me 8% të vlerës së çmimit të shitjes dhe do të dalë një tarifë e re që do të jetë një taksë aposteriori që do të thotë se do të paguash më pak. Kaq e thjeshtë është. Pra, është kaq banale, situata.

Situata e vërtetë politike, për tekniken besoj u kuptova, është më e thjeshtë: Fillojmë sezonin politik, sezonin mediatik, thjesht sezonin e shtatorit me një sulm ndaj një medieje, linja editoriale e së cilës me sa dukej ishte jo në konformitet me kërkesat e qeverisë. E kam fjalën për “Prestige Resort” në Durrës dhe kjo është problematikë, se duket qartë se edhe në këtë vendimmarrje, kemi linearitet. Qëllimi është për të trembur atë investitorë, apo pse jo dhe pronarë mediesh apo pse jo pronarë kompanish a oligarkë, të cilët në prag të zgjedhjeve të 2015-ës thirren në rresht “hajdeni kontribuoni” për zgjedhjet!

Pra, është taksa – evazioni fiskal dhe së dyti, sezoni i zgjedhjeve që po vjen.”/ar.sh/SYRI.NET

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here