Tensioni midis Brukselit dhe Budapestit po bëhet dita-ditës më i qartë, dhe tashmë i zyrtarizuar. Parlamenti Europian ka miratuar rezultatet e një raporti ku Hungaria e drejtuar nga Victor Orban, cilësohet si një “autokraci zgjedhore”, dhe një “kërcënim për vlerat europiane”.
Raporti, i miratuar nga 433 deputetë europianë, me vetëm 123 kundër dhe 28 abstenime, është një aktakuzë e detajuar mbi shkeljet e shumta që, sipas tij, qeveria e Orban ka kryer gjatë mandateve.
Gjithçka vihet në diskutim si aspekt problematik dhe jashtë standardit të BE-së, nga pavarësia e gjyqësorit te korrupsioni, nga liria e shprehjes dhe deri te trajtimi i minorancave dhe emigrantëve. Nuk mungon aty edhe referimi për marrëdhëniet e ngushta me Moskën, në një moment gjeopolitik ku vendet europiane janë rreshtuar bindshëm me Kievin.
Raporti sjell edhe një rekomandim për Këshillin dhe Komisionin Europian, ai për përdorimin e artikullit 7 të traktatit të Bashkimit Europian, që pengon aderimin ose të drejtën e votës të një vendi anëtarë në qoftë se ky thyen parimet themeltare nga të cilat buron korpusi ligjor i BE-së, dhe nuk bën asgjë për t’iu rikthyer atyre. Sugjerohet, gjithashtu, bllokimi i çdo financimi dhe subvencionimi ndaj vendit.
Vendimi i bujshëm, që nuk u votua vetëm nga disa parti të djathta, si italianet Fratelli d’Italia dhe Lega, ka shkaktuar edhe reagimin e Departamentit të Shtetit.
Hungaria është vend partner dhe aleati ynë në NATO, aleancat bazohen edhe në vlerat e përbashkëta që Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të respektohen gjithmonë”, deklaroi zëdhënësi Ned Price, duke nënkuptuar një mbështetje të Uashingtonit ndaj raportit të Parlamentit Europian, që de facto izolon brenda institucioneve të BE-së vendin lindor.
Në një moment gjeopolitik delikat, mbetet për t’u parë nëse organet vendimmarrëse europiane, duke filluar nga Komisioni Europian, do të vijoi në dënimin e Hungarisë, që do të sillte përçarje të mëtejshme.
Orban mori mandatin e katërt në prillin e kaluar, në krye të partisë së tij Fidesz. Hero për mbështetësit e tij kryesorë, ndërsa për kundërshtarët një diktator, Orban siguroi mandatin e kaluar, duke portretizuar veten si një mbrojtës i vlerave tradicionale të krishtera kundër liberalizmit perëndimor.