Gazetari Ferdinand Dervishi, ka folur për zhdukjen e Ervis Martinajt, duke deklaruar se është një ngjarje që tregon demonstrim force të bandave rivale me të dhe gjendjen shumë të rëndë të kriminalitetit në Shqipëri.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Dervishi tha se Martinaj perceptohej si mbështetës që paguante opozitën.
“Është parë si një njeri që çonte para te opozita. Kështu është menduar. Është parë si i tillë. Eleminimi i tij, duke i prerë krahët, njerëzve që i siguronin mbijetesën dhe pastaj zhdukja e tij, përfshirja e grupeve cilësore, mbështetja e tyre e supozuar nga biznesmenë të fuqishëm, tregojnë se në Shqipëri mund t’i ikë koka edhe kreut të opozitës, edhe kryeministrit.
Kjo zhdukje është edhe sinjal force, që kujdes me kundërshtarët politikë.
Ky njeri ishte shumë i pasur. Kontrollone në dy kohë lojërat e fatit edhe kur ishin të ligjshme edhe kur ishin të paligjshme. Fitonte miliona euro. Ishte më i pasuri nga të gjithë. Nuk e prekte askush.
Në botën e krimit, kush ka më shumë lek mbijeton. Paguan roje, policinë. Martinaj paguante më shumë se 50 policë. Shkonte deri nivele shumë të larta që paguante.
Kush ka shumë lek, është më i imunizuar të mos goditet nga kundërshtari. Atëherë? I bie që një super power (fuqi madhore) e paska goditur këtë. Një bashkim i madh bandash. Kjo është situata.
Më keq se kaq nuk ka qenë situata, policia nuk ka asnjë të dhënë të vetme, asnjë gjethe të vetme”, deklaroi Dervishi.
Kjo është situata aktuale kriminale në Shqipëri, për të cilën duhet të kemi frikë.