Durrësi është qyteti me rritjen më të madhe të vizitorëve këtë sezon veror dhe si i tillë i ka dhënë peshë gjithë rajonit qendror. Të dhënat e Institutit të Statistikave për strukturat akomoduese në korrik treguan se në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë rajoni qendër ku bën pjesë Durrësi u rrit me 50 për qind,.
Veriu nga ana tjetër ka pasur një rritje modeste prej 3 për qind në korrik 2022 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Jugu sipas statistikave ka mbetur në të njëjtat shifra sikurse viti 2021 ku “braktisjen” e vendasve e kanë balancuar të huajt.
Vizitorët jo-rezidentë u rritën me 23 për qind në rajonin qendër në korrik 2022 krahasuar me 202-in. Turoperatorët në fakt raportuan se për Durrësin vetëm kishte një kërkesë 30 për qind më të lartë sesa kapaciteti akomodues i qytetit.
Heqja e kufizimeve të pandemisë dhe çmimet më të arsyeshme në raport me shërbimin që ofrohet duket se nxitën kompanitë e huaja që ta kthenin në një destinacion të rëndësishëm. Durrësi edhe pse jemi në shtator vijon të ketë shkëlqimin e pikut të sezonit ku referuar fluturimeve nga Rinasi rezultojnë të paktën 14 chartera nga Polonia, Norvegjia e Suedia të gjithë pjesë e turizmit të organizuar.
Qendra shënoi dhe rritjen më të madhe të turizmit vendas, me 138% në korrik 2022, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në rajonin e jugut numri i turistëve vendas ra me 3.5% dhe në veri tkurrja ishte më e lartë me -20%.
Tkurrja e turistëve vendas në veri u kompensua nga rritja e të huajve me 12%. Veriu është dhe rajoni më interesant për të huajt, duke tërhequr 41% të totalit, ndërsa qendra 31% dhe jugu 28%.
Edhe në Veri numri i turistëve jo-rezidentë ka qenë ë i lartë këtë korrik sipas të dhënave të strukturave akomoduese ku rritja e raportuar është 12.4 për qind. Në Jug numri i të huajve në korrik 2022 ishte 4.2 për qind më i lartë se korriku i një viti më parë.
Vendasit nga ana tjetër këtë verë ishin në një “eksod” masiv drejt destinacioneve të huaja si një tendencë post-pandemi por edhe për shkak të paketave agresive konkurruese me të gjitha të përfshira të ofruara nga destinacione si Turqia, Mali i Zi dhe Greqia.
Gjithsesi pushuesit vendas në korrik patën rritje vetëm në rajonin qendër me 138% rritje ndërkohë që në Jug strukturat akomoduese kanë raportuar rënie me 3.4 për qind në raport me një vit më parë. Rajoni i Veriut është prekur edhe më shumë nga mungesa e vendasve me një ulje prej 20 për qind në korrik 2022 krahasuar me korrikun e një viti më parë.
Shifrat e INSTAT për korrikun në strukturat akomoduese konfirmojnë edhe një herë deklaratat e turoperatorëve ku Jugu u raportua sipas zonave nga Vlora në Sarandë me një okupancë që në korrik luhatej mesatarisht mes 50-70 për qind edhe për shkak “të fushatës” së çmimeve të shtrenjta që nisi që qarkullonte masivit në rrjete sociale./Monitor