Erion Xhenje u ekzekutua mbrëmjen e së dielës në Shkodër, ku u qëllua 7 herë me armë zjarri pistoletë, ndërsa në trup e prekën 7 plumba.
Këtë të hënë, kanë dalë në dritë detaje të reja nga e kaluara e të riut, që u vra teksa ishte duke pirë kafe në një lokal.
Përpara se të vritej, babai i tij Arbeni, e ka telefonuar për të shkuar së bashku në Mal të Zi për të marrë karburant, por 19-vjeçari ka refuzuar ftesën e të atit, e cila mund t`i kishte shpëtuar dhe jetën.
Burime nga policia bëjnë të ditur se viktima nuk ka precedent penal, por ka pasur njohje dhe lidhje familjare me persona që kanë të shkuar të rëndë kriminale në qytetin verior. Erion Xhenje është djali i xhaxhit i Sehar dhe Shkëlzen Xhenje, të cilët së bashku me Esmeraldo Hato janë ende në kërkim pasi qëlluan me armë zjarri Taulant Pepaj, i cili i shpëtoi atenatit në vitin 2021.
Konfliktet e dy kushurinjve të 19-vjeçarit, mund të kenë shërbyer si shkak edhe për vrasjen e të riut Erjon Xhenje.
Për të folur më shumë në lidhje me situatën kriminale në vend, vrasjen e Erjon Xhenjes dhe jo vetëm, ishte i ftuar në ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv, gazetari Elkjer Bushkolaj. Ai u shpreh ndër të tjera se kjo polici ka nevojë për një ‘shkundje të fortë’ dhe se vendimi për rikthimin e Ardi Veliut ishte një lëvizje e gabuar.
“Është një shthurje e policisë dhe është një degradim i policisë për motive politike, ne sot kemi një polici politike.
Ne kemi sistem perfekt patronazhistësh që dinë gjithçka për ne por nuk kemi një polici që parandalon ngjarjet kriminale. Duke mbetur tek rasti i Ismet Çekores i cili u vra me datë 2 shtator, veç 4 ditë para doli në media dhe tha që ‘jeta po më rrezikohet dhe mund të vritem’. Është një ngjarje më shumë se e paralajmëruar, kështu që kam përshtypjen se kjo polici ka nevojë për një shkundje të fortë por duhet dhe një konsensus politk . Rikthimi i Ardi Veliut në atë sektor, kam përshtypjen se është një lëvizje e gabuar”, tha Bushkolaj.