Deputeti Gazment Bardhi ka folur për çështjen e financimit rus të PD, në kohën kur partia drejtohej nga Lulzim Basha.
I pyetur në ABC nëse Lulzim Basha mund të udhëtojë në SHBA, Bardhi shmangu përgjigjen, duke thënë se ai nuk mban agjendën e tij.
“Nuk e di, nuk jam zyrë konsullore, nuk mbaj agjendën e zotit Basha. Patjetër që jam mik. Nuk më ka rënë ndonjëherë muhabeti ta pyes ku udhëton. Di që udhëton ku ka dëshirë të udhëtojë. Kur të ketë një gjë të re qëndrimi im ka qenë partneritet strategjik me SHBA”, u shpreh Bardhi.
Sakaq, Bardhi mohon të kishte dijeni për financimet ruse, duke thënë se është emëruar Sekretar i Përgjithshëm në vitin 2019, ndërsa shtoi se kjo çështje është mbyllur nga Gjykata e Apelit.
“S’kam asnjë dijeni. Jam emëruar sekretar i përgjithshëm në janar 2019. Di që ka pasur një hetim dyvjeçar për këtë çështje, ka pasur dy vite retorikë politike nga PS mbi këtë çështje dhe di që hetimi është mbyllur me vendim nga apeli në mënyrë përfundimtare. Gjatë këtyre ditëve nuk kam parë ndonjë të dhënë shtesë. SHBA flasin me zë me figurë, nëse kanë një shqetësim me PD, me një politikan brenda grupit të PD dalin e bëjnë të qartë qëndrimin e tyre”, tha ai.