Këshilli i Ministrave vendosi të enjten mbylljen e institucionit arsimor parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy”, i cili funksiononte si kolegj për vajza dhe djem dhe financohej nga fondacioni “Gulistan” i lakuar për lidhjet me klerikun turk Fetullah Gylen. Vendimi u publikua në faqen zyrtare të Kryeministrisë pa asnjë shpjegim apo arsyetim.
Gati dy javë nga nisja e vitit të ri shkollor, qeveria shqiptare e detyron kolegjin “Mehmet Akif Ersoy” me aktivitet prej 26 vitesh në Shqipëri që të plotësojë dokumentet për transferimin e nxënësve në shkolla të tjera, të mbulojë shpenzimet e këtyre procedurave dhe të kthejë pagesat e kryera nga prindërit për shkollimin e fëmijëve.
Avokati i fondacionit “Gulistan”, Isuf Shehu tha se vendimi ishte arbitrar dhe do të kundërshtohej. “Vendimi është i papritur, pasi fondacioni ishte njoftuar për një inspektim të ri nga Ministria e Arsimit dhe institucionet në varësi,” tha Shehu për BIRN. Ai këmbënguli se arsyet e dhëna nga qeveria përpara vendimit ‘nuk qëndronin’.
Vendimi i Këshillit të Ministrave për mbylljen e kolegjit ku studiojnë 160 vajza dhe djem vjen pas kërkesave të përsëritura të presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan për mbylljen në Shqipëri të shkollave që ai i akuzon për lidhje me kundërshtarin e tij Gylen. Gjatë vizitës së tij në Tiranë në janar të këtij viti, Erdogan u shfaq i paduruar dhe e quajti lënduese faktin se lëvizja e kundërshtarit të tij politik kishte ende fushë veprimi në Shqipëri.
Vetëm të premten, Ministria e Arsimit ka reaguar në lidhje me mbylljen e shkollës jopublike “Mehmet Akif Ersoy”.
Sipas ministres Evis Kushi, kjo shkollë ka nisur procesin mësimor 2022-2023 në një vendndodhje dhe mjedise të tjera, të pamiratuara nga MAS, pra pa certifikimin ligjor përkatës të standardeve të godinës. Po ashtu theksohet se ky kolegj nuk i kanë plotësuar më tej kriteret ligjore edhe pse nga ana MAS është kryer dy herë verifikimi i tyre.
NJOFTIMI ZYRTAR
Nisur nga interesimi dhe spekullimet në lidhje me shkaqet që çuan në heqjen e licencës dhe mbylljen e shkollës jopublike “Mehmet Akif Ersoy”, sqarojmë se ky vendim është rezultat i konstatimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit të një sërë shkeljeve të legjislacionit në fuqi nga zotëruesit e licencës në fjalë.
1. Kanë filluar procesin mësimor 2022-2023 në një vendndodhje dhe mjedise të tjera, të pamiratuara nga MAS, pra pa certifikimin ligjor përkatës të standardeve të godinës.
2. Nuk i kanë plotësuar më tej kriteret ligjore edhe pse nga ana MAS është kryer dy herë verifikimi i tyre.
3. Në kushtet e ushtrimit të veprimtarisë jashtë kritereve përkatëse licenca duhet të revokohet.
Ministria e Arsimit dhe Sportit në çdo rast ka përgjegjësinë për garantimin e standardeve, sigurisë dhe mirëqenies së nxënësve. Prandaj, në respekt të ligjit dhe në mbështetje të 160 nxënësve dhe të familjeve të tyre, do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të transferuar nxënësit në shkolla që përmbushin kriteret dhe standardet e funksionimit.
Ndërkohë Ministria e Arsimit dhe Sportit nënvizon se revokimi i licencës në fjalë nuk ka asnjë lidhje me spekullimet e ndryshme rreth shkaqeve të këtij vendimi.
Gjithashtu, Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron të gjithë të interesuarit për këtë çështje, se në këtë fillimviti shkollor nuk janë vënë re raste të tjera shkeljesh të së njëjtës natyrë dhe kriteret e standardet ligjore janë të përmbushura për të gjithë nxënësit e tjerë të shkollave jopublike.