Nju Jork – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me kryediplomaten Donika Gërvalla kanë takuar Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Nju Jork, ku po mbahet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Osmani tha se e ka informuar mbi zhvillimet që nga takimi i tyre i fundit dhe e ka falënderuar për angazhimin e tij për paqe e stabilitet në rajon.
“E gëzuar që pata rastin të takoja Sekretarin Blinken mbrëmë në një pritje, të organizuar nga Presidenti Biden. E informova mbi zhvillimet e fundit që nga takimi ynë i fundit dhe e falënderova për angazhimin e vazhdueshëm për paqe dhe stabilitet në rajon”, ka shkruar Presidentja Osmani për takimin në Twitter.
Por, më herët gjatë ditës Osmani me bashkëshortin e saj Prindon Sadriu realizuan një fotografi zyrtare me Presidentin amerikan Joe Biden dhe Zonjën e Parë, Jill Biden.
Me ftesë të shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më 20 shtator liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor u takuan në Nju Jork, një traditë që në javën e shtatorit kur në Nju Jork zhvillohet seanca vjetore e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri mbledh në takim të tillë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
Kosovën në javën e takimeve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork e përfaqëson Presidentja Vjosa Osmani. Aty diskutohet për situatën globale dhe situatën aktuale në Ballkanit Perëndimor.