Borxhet e Shqipërisë për gjyqet e Arbitrazhit rriten në 156 milionë euro, qeveria shkeli kontratat! Financat nuk përditësojnë detyrimet për vitin 2022

0
110

Një vlerësim i vitit 2021 i Ministrisë së Financave tregon një rritje dramatike të detyrimeve të Shqipërisë ndaj vendimeve gjyqësore të gjykatave të arbitrazhit nga 109 milionë në vitin 2020, në 156 milionë më 2021. Ministria e Financave nuk ka publikuar përditësim për vitin aktual.

Rritja është si pasojë e humbjes së gjyqeve të reja, ndërkohë që numri i pretenduesve është shtuar. Shumica dërrmuese e humbjeve lidhen me dy procese të vetme gjyqësore, ai i biznesmenit italian, Francesco Becchetti si dhe procesi gjyqësor për kontratën e sipërmarrjes për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan nga konsorciumi Copri dhe Actor. Becchetti, i cili kishte një sërë kontratash koncesionare kontroverse, përfshirë një për ndërtimin e një hidrocentrali në Kalivaç si dhe një kontratë për trajtimin e mbetjeve me qeverinë socialiste të ishkryeministrit Fatos Nano, arriti të fitojë një gjyq me masë kompensimi 108 milionë euro.

Konsorciumi Copri Actor fitoi një gjyq në masën 38 milionë euro. TIA sh.p.k., kompania koncesionare e aeroportit të Tiranës, e cila fitoi në mënyrë kontroverse pa garë nga qeveria e Edi Ramës zgjatje të afatit të koncesionit, ka hedhur në gjyq qeverinë shqiptare për shkaqe të panjohura.

Gjykatat e Arbitrazhit janë krijuar dekada më parë me qëllim mbrojtjen e investitorëve nga veprimet arbitrare të qeverive të vendeve ku gjykatat vendëse kanë reputacion të keq. Por këto gjykata janë gjithashtu të njohura për ruajtjen e sekretit, gjë që e bën thuajse të pamundur për taksapaguesit që paguajnë në instancë finale faturën, të mësojnë se çfarë kanë bërë qeveritë e tyre që janë dënuar dhe për çfarë arsyesh konkrete kompanitë private i kanë përfituar këto para.

Shqipëria është përballur në shumë raste në gjykata arbitrazhi ku në disa raste ka fituar dhe në disa raste të tjera ka humbur. Por edhe në rastet kur ka fituar, kjo nuk ka ardhur pa kosto. Raporti i Ministrisë së Financave tregon se si, ndërsa fatura e Becchetit është 108 milionë euro, Shqipëria duhet të paguajë edhe afro 3 milionë euro të tjera kosto të procesit gjyqësor dhe kosto të avokatëve që kanë përfaqësuar shtetin.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama u përpoq pa sukses që ta anulojë vendimin e dhënë duke nisur një procedurë shtesë; vetë procedura shtesë ka kushtuar gati gjysmë milioni euro për studio avokatore. Megjithëse vendimet janë përfundimtare, qeveria shqiptare nuk i ka paguar këto detyrime deri në datën e raportit, pra, deri në vitin 2021. Në një rast në të shkuarën, kur qeveria e ish-Kryeministrit Sali Berisha u tërhoq nga një marrëveshje e negociuar nga qeveria paraardhëse me kompaninë amerikane General Electric, kjo e fundit fitoi 25 milionë dollarë në arbitrazh dhe i arkëtoi paratë duke sekuestruar të ardhurat e Shqipërisë nga Eurokontrolli, rrjeti evropian i monitorimit të trafikut ajror, nga ku Shqipëria ka të ardhura për shërbimin e menaxhimit të trafikut të mbikalimeve ajrore mbi territorin e vendit. /BIRN

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here