Në Shqipëri, disa lëvizje në nivelet e drejtuesve politikë të qarqeve të Partisë socialiste, të kryera nga mbledhja e kryesisë së saj të martën, lanë jashtë, edhe funksioneve në parti, ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj.
Nga Zëri i Amerikës
Atij i ishte besuar deri më tani drejtimi i qarkut të Vlorës, pozicion të cilin e mori Blendi Klosi. Ndryshime pati dhe në qarkun e Shkodrës, ku ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e sipërmarrjes, Edona Bilali u zëvendësua nga një tjetër ministre Shteti, ajo për marrëdhëniet me parlamentin, Elisa Spiropali. Ndërsa në Kukës, Safet Gjici, do të zëvendësohet nga zoti Pandeli Majko, të cilin në zgjedhjet e një viti më parë, kryetari socialist Edi Rama, njëheraz kryeministër, e la jashtë zonës së sigurt për deputet.
I pyetur posaçërisht për zotin Ahmetaj, deri para pak muajsh i përkëdheluri i tij në qeveri, ai tha se “nuk ka asnjë rëndësi të hyjmë në emra. Të gjithë jemi shërbëtorë të këtij misioni dhe secili ka rolin e vet, ka pozicionin e vet. Kjo është një skuadër dhe çdo skuadër ka lojtarë që kanë role të ndryshme dhe secili bën rolin e tij, se po të ishin të gjithë njëlloj atëherë nuk do ishte skuadër”.
Edhe kur e largoi nga qeveria, më 25 korrik, zoti Rama nuk dha publikisht ndonjë shpjegim bindës, ndonëse në mbledhjen e fundit të kabinetit, ia kishte bërë të ditur atij vendimin duke përdorur tone të ashpra. Në atë kohë ai e motivoi lëvizjen e numrit 2 të qeverisë, me faktin se Rindërtimi nuk është më prioriteti i qeverisë, duke qenë se ndodhet në fazë përmbyllëse.
“Energjia si sfida më kolosale e kësaj periudhe dhe infrastruktura si sfidë e pandërprerë kombëtare, janë bërë sot edhe marrëdhënie intensive me qeveri e institucione ndërkombëtare. Koha që roli i zëvendës-kryeministrit të fokusohet në këto fusha”, kishte deklaruar zoti Rama, ndërsa bëri të ditur emërimin në këtë post të ministres së energjisë dhe infrastrukturës, Belinda Balluku.
Ahmetaj, ka qenë një prej figurave ndoshta më jetëgjatë si pjesë e qeverive socialiste që nga 2013. Ai ka mbuluar funksione të ndryshme nga ministri i Ekonomisë, te ai i Financave, me një ndërprerje në vitin 2019, kur ju rikthye jetës parlamentare, për t’u përfshirë sërish në kabinetin qeveritar pas tërmetit të nëntorit të po atij viti.
Emri i tij, ka qenë ndër më të lakuarit nga opozita për përfshirjen në çështjen e inceneratorëve.