Shefi i organizimit në Partinë Demokratike, Klevis Balliu, komentoi në edicionin e pasdites në Syri Tv zhvillimet në selinë blu. Balliu deklaroi se procesi i primareve është një moment historik për politikën shqiptare.
“Hapi i parë i demokratizimit total të partive politike që do të sjellë edhe demokratizimin e politikës në tërësi. Projekt ambicioz që nisi si propozim gjatë Foltores dhe më pas u bë realitet në momentin e mbylljes së Foltores dhe ngritjes së institucioneve përkatëse të PD-së, në zbatim të statutit të Kuvendit të 11 dhjetorit.
Sot janë përmbyllur rregullat si do zhvillohen primaret. Një tjetër ide që sot u votua ishte hapja e primareve edhe drejt votuesve, simpatizantëve që lidh shoqërinë direkt me PD-në dhe me politiken.”-tha Balliu.
Shefi i organizimit në PD tha se do ketë një regjistër të posaçëm vetëm për simpatizantët e PD-së që nuk janë anëtarë të strukturave të PD-së.
“Qytetarin e lidh drejtpërdrejt me votën, e bën aktiv në politikë. Çdo qytetar do të ketë të drejtën të kërkojë të votojë kush duhet të jetë kandidat për Bashkinë e Tiranës.”-tha Balliu.
Më tej ai u shpreh se nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Do të ishte PD-ja ajo që do i jepte një kanal demokratizimi politikës shqiptare nëpërmjet primareve.
“Prandaj e quaj akt historik. Institucioni i primareve përfaqëson më së miri atë për çka ekziston PD-ja, që është vota, demokracia.
Fakti që sot qytetarët që mund të mos jenë pjesë e strukturave të PD, do kenë mundësinë të zgjedhin me cilin kandidat të garojë PD-ja, kjo tregon që PD-ja është e gjithë Shqipërisë.”-tha Balliu.
Sakaq, Balliu tha se është hera e parë që po shohim një Parti Demokratike, dhe po shohim demokracinë sesi zhvillohet, me debat e diskutim.
“Kemi një parti që është shumë e qartë, e gjitha në lëvizje. Duhet thënë se në situatën aktuale ku ndodhet shteti ynë, duhet një angazhim edhe më i madh.”-deklaroi Balliu.
Sa i përket protestave, Balliu bëri me dije se qëllimi i PD-së dhe koalicionit opozitar, është për të shpëtuar Shqipërinë nga kthetrat e një qeverie që s’bën asgjë, por vetëm vjedh.
“Do jenë të gjitha llojet e protestave. Kurrë nuk ka ndodhur që kopshtet të jenë në protestë, edhe kjo ndodhi. Rast unik në botë. Kjo është një qeveri e diskretituar moralisht dhe ligjërisht, por këtu nuk ka ligj dhe shtet. Po të kishte ligj, Veliaj do ishte me Tahirin në qeli, bashkë me ta edhe Rama.”-tha Balliu.