Një gazetë shtetërore iraniane, thotë se ky vend posedon dronë, që kanë aftësi t’ju shpëtojnë radarëve, të cilat mund të përdoren për të goditur bazën e muxhahedinëve në Shqipëri, citon Iran Front Page.
“Aftësitë e dronëve apo raketave të Iranit, nuk janë të limituara në zonat gjeografike të vendeve fqinje. Irani ka aftësi të shumta në sektorin ajror, veçanërisht sa u përket dronëve dhe mund të shënjestrojë lehtësisht bazën e MEK në Tiranë.”, thuhet në gazetën zyrtare shtetërore, Iran.
Kjo gazetë gjithashtu përmend edhe deklaratën e Ministrisë së Inteligjencës në Iran, ku thuhet se anëtarë të MEK kanë lidhje me protestat që po ndodhin në këtë vend.
“Sipas ligjit ndërkombëtar, kur një grup terrorist në mënyrë të hapur vendos në rrezik sigurinë e një vendi dhe e pranon këtë hapur, vendi ka të drejtë legjitime të shënjestrojë bazën dhe anëtarët e atij grupi, në mënyrë ekzaktësisht të ngjashme me atë që ndodhi në veri të Irakut ndaj grupeve terroriste të stacionuara aty, apo ajo që ndodhi me terroristët e ISIS në Siri”, thekson gazeta. https://ifpnews.com/iran-stealth-drones-capable-striking-mko-base-albania/
Pra, qartazi kjo sugjeron se Irani e konsideron legjitim një sulm ndaj bazës së MEK, çka me gjasë ka ngritur alarmin edhe te autoritetet shqiptare dhe aleatët tanë.
Shqipëria është përballur me sulme kibernetike nga Irani dhe informacione sensitive janë publikuar nga hakerat përgjatë muajit të kaluar.
Kryeministri Edi Rama njoftoi në 7 shtator 2022, ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin.
Ndërkohë në Iran ka patur protesta dhe revoltë pas vdekjes së 22 vjeçares Mahsa Amini, e cila ishte ndaluar nga policia e moralit.