Arrestohet shoferi i ish-deputetit Mark Frroku, policia e kap me dy armë zjarri në makinë

0
118

Policia e Tiranë ka arrestuar ditën e sotme shoferin personal të ish-deputetit të PS Mark Frroku. Në pranga ka rënë 38-vjeçari Albert Prendi, pasi në makinën që drejtonte, e cila është në pronësi të Frrokut, i janë gjetur 2 armë zjarri pistoleta, 2 krehra dhe municion luftarak.

Gjatë dëshmisë së tij, ai ka pranuar para uniformave blu se armët janë të tijat. Ndërkohë gjatë momentit të arrestimit, Frroku nuk ka qenë prezent në mjet.

“Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se në bulevardin “Migjeni”, një shtetas po qarkullonte me armë zjarri në automjet, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Bulevardi”.  Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:   – A. P., 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Gjatë kontrollit në automjetin që po drejtonte ky shtetas, në bulevardin “Migjeni”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri pistoleta, 2 krehra dhe municion luftarak”, thuhet në deklaratën e policisë.

 

 

Kujtojmë se mandati si deputet i Mark Frrokut u la përgjysmë pas akuzave dhe më pas dënimit me burg për një vrasje në Belgjikë.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here