Mega-afera/ Alqi Bllako jashtë burgut: Heshtja i jep lirinë, por jo pafajësinë

0
119

Vendimi për të liruar nga qelia ish-deputetin e PS-së, Alqi Bllako, i përfshirë në aferën e inceneratorëve, erdhi si surprizë. Zemërgjerësia që tregoi gjykatësja Irena Gjoka duket e pazakontë, kur dihet se Gjykata Speciale u krijua nga reforma në drejtësi për goditjen e korrupsionit në nivele të larta, kthimin e besimit tek gjyqësori dhe për t’i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë.

Gjyqtarja tregohet mirëkuptuese me Bllakon kur arsyeton se familja ka nevojë të ketë sërish në shtëpi, ndaj masa e duhur është ajo e arrestit në shtëpi. Por në anën tjetër, Bllako nuk pati asnjë disponim për të bashkëpunuar me drejtësinë gjatë kohës që qëndroi në qeli apo kur u mor në pyetje. Ai ka mohuar akuzat dhe ka heshtur, duke mos dhënë asnjë ndihmë për hetimin, megjithëse pati rol kyç në projektimin e skemës së inceneratorëve.

Heshtjen e Bllakos e vunë në dukje edhe nga selia e PD-së. Deputeti i opozitës, Këlliçi foli për një marrëveshje të fshehtë, që përmblidhet në pak fjalë: “Dikush duhet ta marrë një goditje për partinë dhe udhëheqjen. Por, në fund, partia kujdeset për ty”.

Duket e pabesueshme që dikush të pranojë një marrëveshje dhe të shkojë vetë në burg, por në kushtet ku ishte Alqi Bllako para arrestimit, nuk kishte shumë zgjedhje.

Arrestimi i Lefter Kokës

Procesi i rënies së Bllakos nisi që me arrestimin e Lefter Kokës. Ish-ministri i Mjedisit ishte mentori i Bllakos në Partinë Socialiste dhe në Lëvizjen Socialiste për Integrim. Fillimisht në administratën publike dhe më pas në politikë, studenti i ekselencës i shkolluar jashtë vendit, i ngjiti shkallët e karrierës falë Lefter Kokës. Kur Rama shiti të parin, pazari për të dytin ishte çështje kohe.

Diskreditimi publik

Thirrjet për ta marrë në pyetje në SPAK ishin mesazhe se ditë më të këqia do të vinin, por kur dolën dokumentat që babai i tij paguhej me shuma të majme nga inceneratorët, Alqi Bllako e humbi reputacionin e ekselentit të shkolluar në New York dhe Zvicër,

Ai u identifikua me allishverishet që kulmonin me rrogën 6 mijë euro të të atit tek inceneratorët, ndërkohë që në Tatime ishte regjistruar si brumëgatues në Ersekë. Në total kishte përfituar mbi 14.9 mln lekë. SPAK i sekuestroi një apartament të blerë për 144 mijë euro.

Bllako, i heshtur drejt burgut

Kur prokurorët e SPAK shpallën se do t’i kërkonin Kuvendit lejen për arrestimin e deputetit të Tiranës, kryeparlamentarja Lindita Nikolla njoftoi pas disa orësh seancën e ballafaqimit. Është e njëjta procedure që ne e kemi ndjekur herë të tjera live, si në rastin e heqjes së imunitetit të Saimir Tahirit po ashtu edhe në rastin e Tom Doshit. Por seanca u anulua për Alqi Bllakon, megjithëse ai pretendoi deri në fund pafajësinë.

“Unë nuk kam mburojë mandatin e deputetit, por të vërtetën për pafajësinë time. Këtë do ta provoj në gjykatë dhe përpara opinionit publik. Prandaj kam vendosur që ditën e nesërme t’i paraqes Kryetares së Kuvendit dorëzimin e mandatit tim si deputet i Republikës së Shqipërisë, dhe të përballem me akuzën pa asnjë privilegj”, njoftoi ai.

Nëse ishte vërtetë i pafajshëm, Bllakos i interesonte seanca e ballafaqimit publik me prokurorët. Siç ka shkruar më herët Lapsi.al pyetja që lindi ishte: Pse nuk e shfrytëzoi ai mundësinë për t’i treguar opinionit se ishte i pafajshëm? Si u bind të shkojë në burg i heshtur, kur pretendonte pafajësinë?

Kjo sjellje kontradiktore e Bllakos, ngriti që atëherë dyshimet për një marrëveshje të fshehtë.

Orët e misterit para arrestimit

Detaji ndoshta më i çuditshëm i të gjithë historisë së burgosjes së Alqi Bllakos është intervali prej disa orësh kur ai u zhduk para se t’i vinin prangat. Pavarësisht se procedurat për arrestimin u mbyllën mesditën e 31 marsit, shoqërimi i tij në qeli vonoi deri në orët e para të mëngjesit të 1 prillit.

Kjo vonesë nxiti zhurmë në media. Dikush raportoi mundësinë se ishtë arratisur. Pavarësisht zhurmës, policia nuk pranonte dot se e kishte arrestuar ish-deputetin e PS.

Avokati i Bllakos publikoi një foto nga avioni me mesazhin: Përqafime! Ish-deputeti u arrestua mëngjesin e të nesërmes, por se ku u fsheh gjatë natës, mbeti mister. Berisha u shpreh më vonë se para arrestimit, Bllako pati një takim në mesnatë me kryeministrin Rama. Qëllim kishte qenë negociata për kushtet e dorëzimit drejt burgut që nuk zgjati më shumë se 6 muaj për një nga aferat më të mëdha korruptive që është zbuluar ndonjëherë në Shqipëri./Lapsi.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here