Nga fjala e z. Sali Berisha, në konferencën e zhvilluar nën kujdesin e kontributin e miqve të PD-së, të Fondacionit Suedez “Jarl Jhamarson” të partisë simotër Moderaterna.
“Në një vit, me përpjekje të jashtëzakonshme, kemi shënuar arritje substanciale për t’u paraqitur parti e ndryshuar para shqiptarëve. Kemi vendosur votën si dhe vullnetin e anëtarëve tanë si përcaktuese për drejtuesit lokalë dhe qendrorë të PD-së.
Në këto vite, ju jeni dëshmitarë që ajo u shkatërrua në mënyrën më katastrofale, është vota. Vota në shoqërinë shqiptare e dhunuar nga Qeveria, e cila në çdo fushatë elektorale paraqitej si shtet elektoral. Si shtet elektoral! Paraqitej me banda, me para droge, krimi në blerje votash. Por dua ta pranoj në mënyrë të padiskutueshme, vota u ndrydh dhe pësoi deformime të mëdha dhe në opozitë.
Sot Partia Socialiste nuk voton më për asnjë të zgjedhur të saj. Më së fundi Edi Rama hoqi votën për kryetarët e degëve të PS-së dhe riktheu absolutisht modelin tipik të Enver Hoxhës, në cilin ishin Sekretari i Parë i Komitetit Qendror dhe Byroja ata që emëronin kryetarët e Partisë së Punës në rrethe.
Por këto qëndrime ndaj votës ndikuan në partinë tonë, në mënyrë të pamohueshme. Besoj se ne së bashku vendosëm një standard të ri këtë vit, vendosëm një standard duke votuar. Ne kemi votuar këtë vit sa asnjë parti tjetër dhe më shumë se kurrë në historinë tonë. Dhe kemi bërë mirë. Pra, ne jemi paraqitur në këtë kontekst, një parti e ndryshuar. Ne vendosëm primaret për zgjedhjen e qeveritarëve vendore. Në standardet më të mira ata do të zgjidhen nga anëtarët dhe mbështetësit tanë dhe i japim fund kryetaro-kracisë si një rrugë e sigurt për të shmangur autokracinë në parti dhe vend në të ardhmen.”