Nga Jamarbër Malltezi/
Për atë vepër penale që e kanë akuzuar Alqi Bllakon e kanë mbajtur gjatë në burg dhe në mënyrë jo fort të ligjshme, pasi paraburgimi gjatë hetimit nuk duhet të zëvëndësojë dënimin e mundshëm. Nëse afera e inceneratorëve degjeneron në zërin kadastral tokë arë apo truall, kjo është një farse dhe pisllek i rëndë nga SPAK! Dëmi 0.3 miljon euro është hiçgjë krahasuar me aferën 430 milion euroshe të inceneratorëve.
Deri tani Bllakon dhe një dyzinë zyrtarësh të Ministrisë së Mjedisit i arrestuan dhe akuzuan për zërin kadastral të shpronësimit dhe dëm afro 0.3 milion euro. Mjafton që t’ua kërkojë mbrapsht këtë dëm dhe vepra penale shfryhet. Prokuroria nëse ka këllqe duhet të japë disa pyetjeve shumë të thjeshta por që të çon tek përmbi-shefat e Alqi Bllakos. Për shembull:
1. Kush, kur dhe pse u urdhërua të injorohej Strategjia dhe Plani Kombëtar i Veprimit për Mbetjet që ishte financuar me miliona euro nga BE?
2. Pse u firmosën të gjitha kontratat e inceneratorëve nga Ministria e Mjedisit? Kjo është e kundraligjshme! Qeveria qëndrore nuk ka asnjë rol ligjor të bëjë kontrata për menaxhimin e mbetjeve! Është detyrim dhe funksion i pushtetit vendor. Dhe Ministria e Mjedisit nuk kish fare buxhet për këto.
3. Kush dhe pse vendosi që një kompanie që nuk ekzistonte dhe nuk ishte rregjistruar fare në QKB ti jepeshin 8 pikë bonus? Dhe kjo gjë duke qenë të njoftuar me shkresë zyrtare nga ish ministrja që kjo kompani nuk ekziston fare. Kush ju dha garanci që nuk pyesim fare për ligj e rregulla?
4. Pse ishte e nevojshme që ti kërkoje Zj. Prodani në Ministrinë e Financave shtesë fondesh që të paguheshin paradhënie paratë për punë të pakryera inceneratorët e Elbasanit dhe të Fierit?
5. Pse u mbyllën sytë kur Veliaj të ktheu përgjigje kinse për gjithë qarkun e Tiranës kur ai nuk e kish këtë tager?
Këto janë pyetje të thjeshta për të cilat njerëzit presin përgjigje. Nëse prokuroria do i japë dot përgjigje këtyre pyetjeve, do dalë e qartë që Alqi Bllako ishte një instrument në vjedhjen e çmendur, por nuk ishte kryesori. Nëse nuk do ishte Bllako, do kishim një tjetër Alqi që do firmoste ato që do i kërkoheshin përkundrejt ngjyerjes së gishtit siç ndodhi me Alqin e parë. SPAK mund të bëjë histori nëse do t’i ofrojë imunitet të plotë dhe heqjen e të gjitha akuzave Alqit nëse ai vërtet bëhet bashkëpunetor i drejtësisë dhe të tregojë gjithë skemën dhe përfshirjen e Rama-Ahmetaj-Agaçi-Veliaj, përndryshe është tallëse dhe fyerje e rendë që megaafera 430 miljon euroshe kthehet në cirk për dëmin nga keqcaktimi i zerit kadastral qe është sa 0.1% e aferës. Po për 99.9% e mega-aferës ka ndonjë përgjegjësi apo xix se djeg të bëhen pyetjet dhe hetimet?