A kanë lidhje kontrollet e FNSH-së në Vlorë me Ervis Martinajn? Ja si përgjigjet policia

0
109

Kryekomisar Gentian Berberi nuk ka dhënë detaje në lidhje me operacionet e zhvilluara nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në qytetin e Vlorës. Në një konferencë me gazetarë, Berberi njoftoi realizimin e një operacioni, por u pyet nga gazetarët nëse kontrollet e ushtruara në Vlorë kanë të bëjnë me të shumëkërkuarin e zhdukur pa gjurmë, Ervis Martinaj.

Kryekomisari nuk dha detaje, por shtoi se kjo është një çështje që nuk i përket policisë së Vlorës. Ai tha më tej se strukturat e DVP Vlorë mbështesin të gjithë strukturat e drejtorive të tjera policore për çdo lloj verifikimi dhe operacioni.

Pjese nga konferenca:

Pyetje: FNSH po kryen kontrolle prej disa ditësh, ka ndonjë kontigjent të krimit të arrestuar? Nëse po, a ka informacione Policia që Ervis Martinaj para se të zhdukej ka qenë në Vlorë?

Kryekomisar Gentian Berberi: E vërtetë që FNSH ka qenë prezent në qytetin e Vlorës. Ka një plan të detajuar nga shërbimet e policisë, e kemi pasur mbështetjen e tyre dhe këto kontrolle do të vijojnë dhe në javët në vijim në lidhje me procedimet që kanë ngritur skuadrat e hetimit.

Pyetje: A ka indicie policia që Ervis Martinaj ka qenë në Vlorë?

Kryekomisar Gentian Berberi: Është një çështje që nuk i përket qarkut të Vlorës. Strukturat e DVP Vlorë mbështesin të gjitha strukturat e drejtorive të tjera policore për çfarëdo lloj verifikimi apo operacioni në terren.

Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, ai u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim. Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama.

Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do të dalë me prova. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar.

Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version, pasi edhe Rama u tërhoq. Ai tha se përderisa nuk ka prova, Policia e Shtetit nuk do të shprehet zyrtarisht për këtë dosje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here