Ku e ka burimin ‘dashuria’ e Edi Ramës për Hashim Thaçin?

0
140

Nga Jetlir Buja

Është dërmuese ta mendosh veten si individ ose edhe si specie nga një plan kozmologjik. Është njësoj si t’i këqyrësh mikroorganizmat përmes mikroskopit dhe ta mendosh veten aty. Je askushi. Krejt i parëndësishëm. Ekzistenca jote është veç hajt. Tash, merreni me mend sikur mizat, që na bezdisën gjithë verën, ta kishin vetëdijen njerëzore. Me gjasë, fillimisht do të bënin vetëvrasje masivisht. Më pas, do të shpiknin religjione për t’u ngushëlluar mbi fatin e tyre. Do të shpiknin edhe grupe të vogla për ta simuluar madhështinë e tyre. Dhe ndonjëra prej këtyre mizave do të fliste edhe në Këshill të Evropës mbi disa miza të tjera ndaj të cilave ishte bërë padrejtësi e madhe. Kjo, besoj, është arsyeja e fjalimit të djeshëm të Edi Ramës!

Nuk është se kam menduar gjatë mbi lidhjen speciale mes Edi Ramës dhe Hashim Thaçit. Është një lidhje e çuditshme, që nuk duket se ka lindur nga ndonjë bindje e përbashkët ideologjike. Megjithatë, është një lidhje e fortë. Rama e ka “radikalizuar” mbrojtjen e tij për Thaçin muajve të fundit. Dhe kjo mbrojtje kulmoi dje me një fjalim në Këshillin e Evropës.

Por pse Edi Rama i është rrekur kësaj rruge?

Fjalët që i tha Edi Rama në Këshill të Evropës në Strasburg, i kam dëgjuar në një formë a tjetrën – me dozë të ngjashme banaliteti – edhe nëpër kafene të ndryshme të Prishtinës. Shpërfillen në mënyrë absurde të dhënat faktike e të pakontestueshme. Ta zëmë, se autori i Raportit për trafikimin e organve ishte një politikan zviceran me nam të jashtëzakonshëm. Se askush nga Kosova nuk ka arritur të bëjë asgjë për t’i diskredituar pretendimet prej 2011-s e këndej. Se Kosova vetë e ka miratuar në Kuvend Gjykatën Speciale.

Rama, në fjalët e tij, nuk ishte bindës. Përkundrazi, ai u tregua si një lider i vogël provincial që s’mund ta durojë drejtësinë, kur ajo nuk i konvenon. Por ai nuk ishte në Strasburg për ta bindur dikë. Ai ishte atje për ta dhënë pikërisht atë shfaqje të një lideri të vogël provincial. Pra të një mize që na kujtohet se ekziston, veç kur na bezdis.

Shikoni më poshtë se si, pa fije turpi, ai publikon një foto-montazhë ku e paralajmëron fjalën e tij duke vendosur disa gra e fëmijë e burra që iknin nga Kosova gjatë kohës së luftës.

“Kur bota kthehet përmbys dhe viktimat kthehen në fajtorë, atëherë çdo gjë është e mundur…” – tha Rama në atë fotografi, edhe pse asnjëri prej këtyre personave nuk po kthehej në fajtor.

Image

Unë besoj që arsyeja prapa gjithë këtij folklorizmi ishte simulimi i madhështisë së munguar. Liderët e shteteve të vogla të Ballkanit, që po hapërojnë drejt do vlerave shumë të mëdha dhe që e kanë pushtetin gjithnjë e më të shqendërzuar, sa më demokratike që bëhen, e kanë këtë ndjesi të mizës brenda vetes. E kemi parë Edi Ramën duke bërë sjellje idiote para liderëve të shteteve të mëdha e duke e luajtur palaçon edhe me gjëra banale si veshjet dhe mbathjet e tij. E kemi parë edhe të paluar para dy ditësh si një gjynah para Erdoganit. Do ta shohim edhe në të ardhmen.

Image

Në fjalën e tij patetike, Rama e krahasoi fatin e Hashim Thaçit me atë të kryepersonazhit të librit “Procesi”, shkruar nga Franz Kafka, Jozef K.-së. Krahasim më të paqëndrueshëm nuk kam dëgjuar përgjatë këtyre viteve të fundit, edhe pse jetoj në një shoqëri që e ka zakon të bëjë krahasime të paqëndrueshme. Por një krahasim tjetër më duket më i drejtë meqë jemi te letërsia e Kafkës: ai i Edi Ramës me Gregor Zamzën (“Metamorfoza”), një nëpunësi të shndërruar në insekt. Njësoj si Zamza, edhe Rama është një insekt me vetëdije njerëzore. E sa për Jozef K.-në, të tillë jemi të gjithë – nganjëherë – ne që jetojmë në Shqipëri e Kosovë, përveç liderëve tanë.

Për ata që s’kanë mundur të më kuptojnë deri këtu: Edi Rama thjesht po bën një keqpërdorim tmerrues ndaj luftës së UÇK-së, drejtësisë, viktimave të luftës, por edhe Hashim Thaçit. Këtë keqpërdorim po e bën në mënyrë që ta durojë pak më mirë fatin “e keq” e të qenit thjesht kryeministër i një vendi të vogël si Shqipëria.

Ndërkohë, duke ecur nëpër mjegull me protesta “metafizike”, ne vetëm sa po i bëjmë dëm luftës së UÇK-së. Ishte vendim i drejtë që ia ndreqi imazhin Kosovës miratimi në Kuvend i themelimit të Gjykatës Speciale. Por, në rast se lirohen si të pafajshëm, nesër do të përmenden edhe presionet politike që iu bënë punës së saj, madje edhe nga kryeministri i Shqipërisë./Nacionale.com/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here