Deputetja demokrate Ina Zhupa pyeti ministren e Arsimit, gjatë seancës plenare të Parlamentit, në lidhje me mbylljen e një shkolle dhe një kopshti turk, që ishin vlerësuar më herët për nivelin më të lartë të standardeve të ofruara.
“Rama e Nikolla i kanë dhënë certifikatë nderi kësaj shkolle për arsimin cilësor që ofron. Nga krahu tjetër na thonë, që s’ka standarde, as kopshti as gjimnazi. Në Shqipëri nuk kam parë ndonjë shkollë apo kopsht me standardet më të larta sesa këto të dyja”, tha Zhupa.
Ministrja Kushi përsëriti qëndrimin e Qeverisë se dy institucionet shkelën ligjin, ndërsa deputetja opozitare insistoi se gjithçka ka ardhur me urdhër nga Turqia.
“Përsa i takon shkollës “Mehmet Akif”, ka ndryshuar vendndodhjen dhe nuk ka njoftuar ministrinë. Kjo është shkelje ligjore. Ky institucion ka sjell dy shkresa dhe nuk janë miratuar nga ministria kjo kërkesë, pasi nuk miratohet standardet e ndriçimit natyral, palestrën, mjetet didaktike, apo dhe çështjen higjieno-sanitare. Edhe për kopshtin është e njëjta situatë”, tha Kushi.
Sot kemi standarde migjeniane, edhe shkollën “Sami Frashëri” nuk e keni me kapacitetin e këtyre që mbyllët. Ligji nuk ju thotë t’i hiqni licencën, duhet të jeni proporcional, prandaj ju duhet ti paralajmëronit, më tutje i vendosni gjobë. Por ju keni marrë urdhra si qeveri vasale, nga palë të treta që si pëlqente fakti se këto shkolla merrnin fondet nga Gyleni. Ju kërcënoni biznesin, pasi me një të rënë të lapsit mbyllni kopshtin. Kopshti ka që nga 2004 që është transferuar, por gjetët një fije bari dhe kërkoni të mbuloni një elefant. Nuk ka gjë më të tmerrshme se të lëvizësh fëmijën nga kopshti. Ku pyesni ju!”, u shpreh Zhupa.