Arroganca që po shkatërron shtetin

0
206

Nga Agim Nesho

Në shkrimin e tij të fundit në ‘The Atlantic’, politologu i shquar botëror Francis Fukuyama shkruan për shtetet autokratike që po shkatërrojnë sistemin demokratik, dhe vë në dukje dy karakteristika të dobësisë së tyre, dobësi që do të sjellin vetë rënien e regjimeve autokratike në të ardhmen.

 

Së pari, përqendrimi i pushtetit në duart e një lideri të vetëm nuk bën tjetër vetëm garanton cilësi shumë të ulët të vendim-marrjes dhe me kalimin e kohës do të prodhojë pasoja katastrofike.

 

Së dyti, mungesa e diskutimit publik dhe debatit në këto regjime ‘të forta’, si dhe mungesa e llogaridhënies, tregojnë se përkrahja për autokratin është sipërfaqësore dhe mund të bjerë në çdo moment.

 

Këto karakteristika të dobësisë së këtyre regjimeve ne i shikojmë përditë në shtetin e kapur shqiptar, pa balanca të nevojshme të institucioneve demokratike, ku shfaqja është vetëm një monolog i një demagogu qesharak, por i rrezikshëm, vizioni i vetëm i të cilit për zhvillimin e vendit qëndron i lidhur me pushtetin e tij personal. I madhërishëm në vetëvlerësim, ai nuk ka nevojë për ide, por vetëm për arrogancën për të mposhtur opinionin publik. Deri tani kemi përjetuar arrogancë ndaj Bashkimit Europian që i rrezikon regjimin e tij, arrogancë ndaj përfaqësuesve të SHBA-së që nuk mund t’i mësojnë atij se kush do të jenë miqtë e tij, arrogancë ndaj SHBA dhe BE-së për amnistinë fiskale, arrogancë ndaj popullit që nuk ka bukë të hajë duke ju treguar satelitë, dronë dhe konstruksione luksi në ndërtesën e Kryeministrisë, arrogancë ndaj mendjes së kombit, profesorëve të universiteteve, për të mos u marrë me thelbin e kërkesës së tyre të drejtë por duke i kërcënuar me veting dhe largim nga puna. Të shprehësh arrogancë edhe ndaj përfaqësuesve të shkencës dhe dijes, të ajkës së inteligjencës Shqiptare, tregon se projekti i tij anti-kombëtar i shpopullimit të Shqipërisë është më i thellë për të hequr dhe shuar ndërgjegjen kombëtare. Kërkesa e pedagogëve të universiteteve është një kërkesë e drejtë që nuk ka të bëjë vetëm me respektimin e dinjitetit njerëzor por edhe me fuqizimin e institucioneve dhe universiteteve si qendra studimore e kërkimore, të përgatitjes së brezit të ri, me dije të nevojshme për sfidat e kohës.

 

Sot Kryeministri Shqiptar nuk u tall vetëm me autonominë e Universiteteve duke iu servirur rektorëve zgjidhje me kërcënim (veting, etj.), por ai kërcënoi vetë ekzistencën e ndërgjegjes kombëtare dhe mendimit kritik që zhvillohet dhe formohet në këto Universitete.

 

Sot problemi i Shqipërisë është vetë zoti Rama dhe regjimi i tij autokrat. Fukuyama është optimist se këto regjime nuk kanë të ardhme dhe janë të destinuara të rrëzohen nga populli, i cili pavarësisht se i duron nuk bën kompromis me liritë që ju garanton shoqëria demokratike.

 

Për sa kohë do ta mbajnë si zgjedhë në qafë Edi Ramën shqiptarët?

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here