Escobar: Mbështesim aspiratat euro-atlantike të Kosovës

0
114

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratat euro-atlantike të Kosovës dhe do të angazhohen për ta bërë këtë realitet, ndërsa nënvizoi rëndësinë e bisedimeve Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në Prishtinë, ku u takua me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Zoti Escobar do të takohet edhe me udhëheqësit e partive politike në opozitë.

Zoti Escobar tha se qëllimi i vizitës së tij në Kosovë është thellimi i bashkëpunimit me një vend mik shumë të ngushtë të Shteteve të Bashkuara.

“Është një miqësi dhe partneritet që mbështetet jo vetëm në interesin e përbashkët, por në vlerat e përbashkëta dhe në këtë drejtim dëshiroja t’i shpreh presidentes mbështetjen e vazhdueshme amerikane për aspiratën euroatlantike të Kosovës. Unë i falënderoj për solidaritetin e tyre në kohën e krizës në Evropë dhe nevojën për të kërkuar mënyra për të thelluar këtë partneritet duke përfshirë mbështetjen tonë për përfshirjen e Kosovës në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, tha ai në një konferencë me gazetarë së bashku me presidenten Vjosa Osmani, gjatë së cilës nuk u lejuan pyetje.

Zoti Escobar theksoi rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve.

“Diskutuam edhe për çështjen e marrëdhënieve me Serbinë, ndikimet rajonale të këtij dialogu, rëndësinë për të vazhduar mbështetjen amerikane për pavarësinë, sovranitetin dhe sigurinë tuaj, dhe rëndësinë që të rreshtoheni me vlerat evropiane në këtë kohë shumë të rëndësishme krize në kontinentin evropian”, tha zoti Escobar.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës theksuan siç thanë përkushtimin e tyre në dialogun me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve.

“Kam ritheksuar se Kosova është dhe gjithnjë ka qenë pala konstruktive në këtë proces e po ashtu është e gatshme ta rrisë edhe më shumë angazhimin gatishmërinë e saj në mënyrë që të intensifikohet procesi i dialogut. Shfrytëzova po ashtu rastin për ta shprehur shqetësimin dhe pakënaqësinë tonë për moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga ana e Serbisë duke përfshirë në veçanti refuzimin e vazhdueshëm nga ana e tyre për shpërbërjen e strukturave ilegale dhe kriminale të cilat vazhdojnë t’i kërcënojnë dhe frikësojnë serbët e Kosovës dhe udhëhiqen nga individë të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Përmes gatishmërisë për takime, vullnetit për marrëveshje dhe propozimeve konkrete që japim, Republika e Kosovës është treguar se është palë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut. Jemi të gatshëm dhe të përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër. E mirëpresim gjithmonë interesimin dhe angazhimin e SHBA-ve në këtë proces”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Vizita e të dërguari amerikan po ndodh në një kohë kur po përflitet për një shtim të ritmit të procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi pas një nisme franko-gjermane për një marrëveshje mes palëve.

Ndonëse Parisi dhe Berlini nuk kanë folur për nismën, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se Franca dhe Gjermania kanë paraqitur një dokument me të cilin kërkojnë që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por pa e njohur pavarësinë e saj.

Por, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se po diskutohen modele të ndryshme, por nuk ka diçka përfundimtare apo vendimtare që do të mund të thuhej se ky është propozimi franko-gjerman.

Ambasadori amerikan në Beograd Christopher Hill, tha se të dy udhëheqësit janë pajtuar që ta shqyrtojnë nismën franko gjermane duke i shprehur mbështetje por pa folur rreth hollësive të saj.

I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha javën e kaluar se Kosova dhe Serbia nuk duhet të shpërdorojnë mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian në vitin 2024.

Presidenti serb Vuçiç, tha ndërkohë se është përballur me kërkesa për një afat shumë më të shkurtër, madje siç tha ai kërkesat kanë të bëjnë me çështje javësh apo muajsh./VOA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here