Emisioni “Në Shënjestër” në News24 ka sjellë sot një investigim për rrugën Qukës-Qafë Plloçë, ende e papërfunduar prej 13 vitesh.
Loti nr. 2 dhe problematikat që janë hasur aty, nuk janë të vetmet që raporti i auditit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka konstatuar gjatë inspektimit në terren.
Aksi që po mban peng përfundimin e projektit është, loti nr. 3, pa të cilin, rruga nuk mund të quhet e papërfunduar.
Raporti i Auditimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit
E thënë ndryshe sipas KLSH, mospërfundimi i lotit nr 3, mund të sjellë edhe degradimin e punimeve të kryera në këtë segment të rrugës deri më tani, që kapin një shifër të konsiderueshme.
Para, që nëse do ishin shfrytëzuar në mënyrën e duhur, sot mund të kishim një aks të ri të ngjashëm modern në infrastrukturë.
Por ndoshta, duke parë kostot marramendëse, pse jo dy apo edhe tre të tillë. Por kjo, jo vetëm që nuk ka ndodhur, por qeveria shqiptare, ashtu siç ka vepruar në rrugët e tjera, vazhdon të alokojë fonde dhe shtyjë pafundësisht premtimin për prerjen e shiritit të rrugës.
Ing. Spartak Targaj
“Vonesa në zbatimin e një projekti dhe të një rruge kanë kosto për zbatimin e saj. Sa më shumë të vonohet zbatimi i këtij projekti aq më e lartë është kostoja pasi kemi dhe amortizim dhe dëmtim të shtresave nëntokësore, të veprave të artit, të skarpateve të ndërtimit të kësaj rruge të cilat duhet të rehabilitohen dhe të ndërtohen përsëri nga e para. Kjo ka një veçanti, pasi është nën trysninë e madhe të agjentëve atmosferikë, arrin dhe dy tunele rreth 1200 m mbi nivelin e detit. 2 tunelet që janë të kjo rrugë janë në nivelin 1200 m mbi lartësinë e detit. I nënshtrohet agjentëve atmosferikë, borës shirave, shkarjeve të dherave të cilat e dëmtojnë dhe normalisht kanë kosto për rehabilitimin e tyre. Pra sa më shumë të zgjatet afati i ndërtimit të një rruge aq më shumë rritet kostoja për ta rehabilituar dhe përfunduar këtë rrugë”.
Rrugë, e gjatë siç e thamë vetëm 43.4 km, e cila ka pritur dhe përcjellë disa ministra, të cilët sot vazhdojnë detyrën si drejtues në dikastere të tjerë, ndërsa premtimet e tyre kanë mbetur të gjallë vetëm në deklarata propagandistike elektorale. Deklarata që nisin që herët në vitin 2009 ku kryeministri i kohës, Sali Berisha, premtonte se me ndërtimin e aksit Qukës-Qafë Plloçë, do të rikthente lavdinë e humbur të aksit të vjetër të rrugës Egnatia.
Sali Berisha, 25 qershor 2009
“Ne rikthejmë sot rrugën e lashtë Egnatia, rrugën në të cilën në shekuj, karvanët e shqiptarëve udhëtuan për tregti dhe qëllime të tjera.
Kam kënaqësi të jashtëzakonshme sepse kjo rrugë shkurton në mënyrë shumë të ndjeshme distancën e Korçës, Bilishtit e Kolonjës, me Tiranën. Çka është një qëllim madhor i imi”.
Realisht, edhe pse punimet për ndërtimin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë, nisën në vitin 2009, dhe u çanë 2.9 kilometrat e parë, me ato që quheshin ‘fuqitë e buxhetit të shtetit’, ndërtimi i plotë i rrugës nisi të zbatohet në vitin 2013, ku një konsorcium kreditorësh, ku përfshihej Banka Islamike për Zhvillim, Fondi OPEK, Fondi Abu Dhabi dhe ai Saudit, i erdhën në ndihmë qeverisë shqiptare për të financuar pjesën tjetër të mbetur të rrugës.
Punime në fakt që rifilluan me ndryshime në projektin e rrugës, çka e rritën menjëherë koston e rrugës, ku këtë herë, në vitin 2014, qeverisë Rama iu desh të merrte një kredi të dytë nga Fondi Saudit.
Ing. Spartak Targaj
“Ato përcaktohen në kushtet kontraktuale të lidhur midis financuesit, investitorit dhe sipërmarrësit, por përgjithësisht varet nëse këto kushte që kanë penguar zbatimin e objektit janë kushte objektive apo subjektive. Domethënë që varet nga mospërgatitja e firmës zbatuese apo nga ndryshimet që kanë hasur gjatë rrugës siç është një nga rastet ndryshimi i projektit. Nuk ka pasur një projekt të saktë që në hartimin e tij që në fillim”.
Por ndërsa qeveria Berisha, i la vendin qeverisë Rama, edhe kjo e fundit, pavarësisht se pati në dispozicion kohën e mjaftueshme dhe të gjitha mekanizmat financiarë për ta mbyllur këtë rrugë, nuk e bëri realitet një premtim të tillë. Dhe jo vetëm që nuk e bëri, por trefishoi kostot e rrugës.
Ndërkohë që premtimit për ta mbyllur rrugën brenda mandatit të tij qeverisës, nuk i shpëtoi as kryeministri Rama, i cili në vitin 2016, deklaronte se rruga duhet të përfundonte sa më shpejt, dhe se për këtë nevojitej të fitohej koha e humbur.
Edi Rama, 5 Tetor 2016
“Ajo që na intereson ne, kuptohet pa cenuar cilësinë e punës, është të ketë ritëm maksimal për të fituar aq sa të mundemi kohën e humbur”.
Por teksa kryeministri Rama bënte këtë zotim, vitet rrodhën dhe përfundimi i rrugës nuk u duk gjëkundi.
Madje, premtimet nuk munguan as vitet në vazhdim, ku në vitin 2018, ministri i kohës i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri, premtonte se aksi Qukës-Qafë Plloçë, do të ishte funksional brenda vitit kalendarik 2019.
Damian Gjiknuri, Ish-ministër i Infrastrukturës/ 26 janar 2018
“Me financimin shtesë që besoj do të bëhet i mundur, është një segment i rëndësishëm në një terren shumë të vështirë, por kompanitë po bëjnë një punë të mirë dhe me zgjidhjet e problemeve të mbetura të projektit, besoj që kjo rrugë do jetë funksionale në vitin 2019, duke kompletuar këtë segment të rëndësishëm”.
Por kur kanë kaluar tre vite nga ky premtim i pambajtur, në fund të vitit 2021, ministrja aktuale e Infrastrukturës, Belinda Balluku, gjatë inspektimit të veprës, dha një tjetër afat për përfundimin e veprës që sipas saj, këtë herë shpresonte të ishte fundi i vitit 2023.
Belinda Balluku
“Tashmë duket se kemi arritur në një finish të zgjedhjes së problemit. Shpresoj në pak javë gjithçka të shkojë atje ku duhet dhe ne do kemi mundësinë që në vazhdimësi, të përmbyllim të gjitha kushtet kontraktuale, ashtu siç e kemi premtuar tani prej disa muajsh dhe duke i dhënë mundësinë të gjitha kantiereve të financohen dhe të përfundojnë shpresoj shumë deri në fund të vitit 2023”.
Por ndërsa kryeministrat dhe vartësit e tyre në ministritë e linjës i pasojnë vendin njëri-tjetrin në premtimet e pambajtura, faktet tregojnë se skandali me rrugën Qukës-Qafë Plloçë është më i thellë edhe se vetë gropa financiare që kjo rrugë i ka shkaktuar buxhetit të shtetit, vit pas viti.
Dhe për këtë na mjafton edhe njëherë raporti i auditit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Raport, që duhet të kishte përfunduar në dyert e drejtësisë nga ku rezulton se për veprën nuk është kryer asnjë studim gjeologo-gjeoteknik.
Ndërkohë që vizatimet inxhinierike në letër nuk përkojnë me ato në terren që është akoma e vështirë për të kuptuar, se si mund të ndodhë një gjë e tillë.
Raporti i Auditit, Kontrolli i Lartë i Shtetit
“Në projektin origjinal nuk rezulton asnjë studim gjeologo-gjeoteknik, si dhe nuk është evidentuar asnjë zonë e rrëshqitshme në terren. Po kështu nuk ka të dhëna studimore gjeoteknike të përfshira në projektin teknik”.
Gjatë auditimit ka mospërputhje topografike nga vizatimet krahasuar me faktin, ku janë konstatuar diferenca të kuotave dhe koordinata që lëvizin nga 4 deri në 5 metra.
Njëkohësisht ka mangësi në projektimin e ndërtimit të mureve mbajtës betonarme, në lidhje me vizatimin strukturor për mure mbi 12 m që arrijnë deri në 27 m lartësi, si edhe mungojnë vizatimet për tombino drejtkëndëshe.
Sipas KLSH, me problematikat e hasura, rruga ka humbur në vetvete qëllimin e saj të parë.
Atë për të cilën u ndërtua, të shkurtimit të distancës midis juglindjes së vendit dhe kryeqendrës së vendit.
Kjo sepse, projektuesit nuk kanë marrë parasysh kushtet klimatike të zonës ku po ndërtohet rruga, sidomos gjatë stinës së dimrit.
Raporti i Auditit, Kontrolli i Lartë i Shtetit
“Shkurtimi i distancës me qytetin e Korçës apo ulja e kostove për qytetarë, deri në këto momente mbeten objektiva të pamatshme. Ky aks rrugor po ndërtohet në një zonë malore ku lartësia maksimale e një segmenti arrin në 1 200 m mbi nivelin e detit, gjë e cila rrit ndjeshëm mundësinë e ngricave, dëborës dhe akullit duke shtuar ndjeshëm dhe kostot e mirëmbajtjes në të ardhmen”.
Të gjendur në një situatë të tillë ku dëmi është kolosal, KLSH ka këshilluar riprojektimin e veprës, duke dhënë dy alternativa, por që do të rrisnin edhe më shumë koston e veprës që edhe kështu, ka shkuar në shifra që mund të quhen të çmendura.
Ku deri më tani thuhet se rruga kushton 160 milionë dollarë, apo 60 përqind më shumë se projektimi fillestar, por duket futur në vazhdim edhe llogaritë e KLSH-së, rruga mund të fluturojë në shifra stratosferike.
Raporti i Auditimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit
“Lidhur nga problematikat e gjetura në rrugën Qafë Plloçë-Qukës, janë parashtruar dy alternativa. Alternativa e parë kë të bëjë me ruajtjen e gjurmës së rrugës bashkë me elementët e saj, duke bërë riprojektimin e veprave.
Sipas kësaj alternative, kosto e projektit shkon afërsisht në 64 milionë dollarë.
Alternativa e dytë ka të bëjë me një ndryshim të projektit në tërësi duke marrë në konsideratë edhe zonat e rrëshqitshme me kosto rreth 40 milionë dollarë”.
Kjo është vetëm historia e papërfunduar e rrugës Qukës-Qafë Plloçë.
Ndërkohë që duket se një tjetër organi do t’i duhet tashmë të investigojë se si kjo rrugë u kthye në një gropë thithëse parash për buxhetin e shtetit.
Se si projektimi dhe zbatimi i veprës është bërë shkel e shko, duke shkaktuar një dëm të tillë financiar, ku vetëm në janar të këtij viti, pikërisht për këtë rrugë, qeveria mori nga Fondi Saudit i Zhvillimit, një tjetër kredi prej 48 milion dollarësh dhe ky organ që ka për detyrë të hetojë, duhet të jetë drejtësia e re.
Që ka përballë një tjetër rrugë, jo më thjesht të florinjtë, por që po kushton sa një thesar. Ndërkohë që është shumë larg të qenit, një diamant në kurorën e veprave infrastrukturore./balkanwb/ emisioni “Në Shënjestër”