Rriten taksat përsëri/ Profesionistët e lirë do të paguajnë 17 milionë euro më shumë taksa në vit

0
167
Albanian Prime Minister Edi Rama speaks during a joint press conference with Prime Minister of Montenegro Dusko Markovic (not pictured), at the Vila Gorica, in Podgorica, Montenegro, 03 April 2017. Rama arrived in Podgorica for a one day official visit., Image: 327638623, License: Rights-managed, Restrictions: , Model Release: no, Credit line: Profimedia, TEMP EPA

Profesionistët e lirë do të paguajnë rreth 2 miliardë lekë (17 milionë euro) taksa më shumë çdo vit, si rrjedhojë e ndryshimit të taksimit të parashikuar për ta në draftin e ri për tatimin mbi të ardhurat, që pritet që të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm.

Shifra është publikuar në relacionin e projektbuxhetit të shtetit 2023. “Futja në skemën e taksimit të të ardhurave personale të furnizuesve të shërbimeve si profesione të lira, vlerësohet të kontribuojë në buxhetin e shtetit me 2 miliardë lekë në vit”, thuhet në relacion.

Projektligji “Për tatimin mbi të ardhurat”, i hedhur për konsultim më herët gjatë këtij viti nga Ministria e Financave, parashikon ndryshime thelbësore në skemën e tatimit të biznesit të vogël, por, në shumicën e tyre, këto ndryshime do të hyjnë në fuqi vetëm në vitin 2029.

Përjashtim do të bëjnë vetëm personat fizikë që veprojnë si profesionistë të lirë, për të cilët parashikohej aplikimi i tatimfitimit duke filluar nga viti 2023. Ndonëse drafti është shtyrë dhe nuk pritet të fillojë zbatimin në janar, ai është në plan që të miratohet dhe hyjë në fuqi brenda vitit 2023.

Projektligji parashikon se profesionistët e lirë do të paguajnë tatim të përshkallëzuar deri në masën 23%. Qëllimi i kësaj mase është të barazojë tatimin e të vetë punësuarve me atë të individëve të punësuar, por duke njohur një masë të caktuar shpenzimesh vjetore (sa 30% e xhiros për veprimtaritë e pavarura) para fitimit mbi të cilin do të aplikohet tatimi.

Shkalla tatimore do të jetë 13% për të ardhurat vjetore deri në 2 milionë e 40 mijë lekë (170 mijë lekë në muaj), ndërsa mbi këtë prag shkalla e tatimit do të arrijë në 23%.

Pasi qeveria shqiptare nisi aplikimin e tatimit progresiv mbi pagat në vitin 2014, shumë profesionistë shërbimesh vendosën ta deklaronin veten si të vetëpunësuar, megjithëse në realitet vazhdonin të ishin të punësuar pranë një punëdhënësi të vetëm. Një sjellje e tillë u nxit më shumë pas vendimit për të përjashtuar plotësisht nga tatimi mbi të ardhurat biznesin e vogël.

Për të korrigjuar këtë hapësirë shmangieje që kishte krijuar trajtimi i diferencuar tatimor mes të punësuarve dhe të vetë punësuarve, qeveria ka vendosur të ndryshojë ligjin, duke aplikuar edhe për këta të fundit një shkallë të njëjtë me atë të tatimit për të ardhurat nga paga.

Nga paketa e re fiskale pritet që buxheti të arkëtojë 14.8 miliardë lekë (130 milionë euro) më shumë.

4.5 miliardë lekë është efekti i paketës së re fiskale.

2 miliardë lekë janë të ardhurat e pritshme nga lojërat e fatit. Nga miratimi në ligj i lojrave të fatit ‘baste sportive’, me efekt nga 1 janari 2023, vlerësohet të arkëtohen në buxhetin e shtetit 2 miliardë lekë.

Ndërsa pjesën tjetër të të ardhurave pritet ta sjellë Taksa speciale për prodhuesit e energjisë elektrike që e eksportojnë.

Sipas relacionit, fitimet e realizuara nga prodhuesit e energjisë elektrike, të cilët, për shkak të çmimeve shumëfish të rritura gjate vitit 2022, kanë realizuar fitime pa rritje kostosh, do tatohen për këto fitime shtesë me tarifën 33 %. Të ardhurat e pritshme  vlerësohen të jenë 8.3 miliardë lekë

Të ardhurat e detajuara nga paketa e re fiskale

Paketa parashikon ndryshime në akcizën e birrës me efekt 52 milionë lekë në vit. Ndryshimi i akcizës së këtij artikulli, konsiston në unifikimin gradual në një afat 5-vjeçar të tarifës së akcizës për Birrën e bërë nga malto nga prodhues vendas e të huaj, ligjërisht dhe ekonomikisht të pavarur, me sasi më të vogël dhe më të mëdha se 200 000 HL në vit.

Për kategorinë Birrë e bërë nga malto nga prodhues vendas e të huaj, ligjërisht dhe ekonomikisht të pavarur, me sasi më të vogël 200 000 HL,  rritet akciza gradualisht për 5 vjet dhe që vitin e pestë (2027)  barazohet me nivelin e akcizës 710 lekë/HL/shkallë alkoolometrike sikurse kategoria e birrës së bërë nga malto nga prodhues vendas e të huaj,  me sasi më të madhe se 200 000 HL.

Është menduar të propozohet një kalendar rritje akcize për këtë produkt në mënyrë graduale në mënyrë që mos të rëndohet prodhuesi vendas dhe të ketë mundësin për tu përgatitur në lidhje me këto ndryshime të parashikuara.

Ndryshime në akcizën e verës me efekt vjetor 150 milionë lekë. unifikimin e tarifës së akcizës, për të dy nivelet e prodhimit nën dhe mbi 10 000 HL dhe duke diferencuar tarifën vetëm ba Unifikohet në shkalle alkoolike.

Ndryshimi bëhet pasi norma e diferencuar e nivelit të akcizës specifike për produktet alkoolike të importuara ose prodhuara nga prodhuesit e vegjël duhet të eliminohen, dhe të gjitha akcizat duhet të vendosen në nivelin e rregullt, si për birrën ashtu edhe për verën, kjo pasi akciza e verës për prodhuesit e vegjël është rreth një e treta e normës së rregullt të akcizës.

Nga unifikimi i akcizës së gazit të lëngshëm, për të cilin efekti në vitin 2022 ishte 6 mujor ndërsa në vitin 2023 do jetë 12 mujor, do gjenerohen 400 milionë lekë më shumë.

Rritja e kufirit të patatueshën të pagës nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë do reduktojë të ardhurat në buxhet për rreth 1 miliardë lekë  në vit, por ndërkohë do rrisë të ardhurat e punëmarrësve me paga deri në 50 mijë lekë në muaj, ç’ka do të thotë më shumë konsum. Nga kjo masë përfitojnë mbi 70 mijë punëmarrës të cilët janë në grupin e pagave nga 40 në 50 mijë lekë në muaj.

Nga rritja e pagës minimale në shtator 2022 nga 32 në 34 mijë lekë, në vitin 2023 pritet të gjenerohen 1 miliardë lekë shtesë të ardhura krahasuar me vitin 2022.

Nga rritja e fondit të pagave për administratën shtetërore që është bërë në shtator 2022, në vitin 2023 pritet të gjenerohen 1,8 miliardë lekë kontribute shtesë./Monitor

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here