Kreu i PD Sali Berisha, ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me studentë.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD nuk i kurseu kritikat për kryeministrin Edi Rama, ndërsa theksoi se vazhdimisht ka sulmuar kreun e Sindikatës.
Kjo, sipas Berishës ndodh sepse kreu i Sindikatës së Universiteteve, zbuloi kanabisin e qeverisë kur ishte në SHISH.
“Kjo është një qeveri moniste që ka marrë të gjitha pushtetet, sillet me një arrogancë të paimagjinueshme, pushtetet i ka marrë duke dhunuar votën dhe jo në mënyrë të merituar dhe tani nuk pyet për asgjë.
Merret tri ditë rresht me kryetarin e Sindikatave të Universiteteve, i cili është një njeri jashtëzakonisht i respektuar, ka qenë një ambasador i shkëlqyer. Ka funksionuar gjatë qeverisë së tij drejtor i Drejtorisë më të rëndësishme të SHISH, që është drejtoria e analizës. Por aty i dilte se ky mbillte kanabis, aty i dilte se 130 oficerë të lartë kishin marrë pjesë në mbjelljen e kanabisit. Ky nuk do mashtronte, do i thoshte qeverisë ato që gjente.
Dhe tani e shtrigëzon paçka se Sekretarin e Përgjithshëm e ka në të njëjtin pozicion, edhe Sekretari i tij i Përgjithshëm që ka caktuar vetë ka qenë dy vite drejtor në SHISH.
Për ato ai meriton të vlerësohet, jo demonizohet. Tani që mbron një kauzë të drejtë, mëkati i tij është se i paska shërbyer shtetit shqiptar në vitet 2013-2015 drejtor në Drejtorinë më të rëndësishme në SHISH, drejtor i analizës. A mund të merret kush me këtë njeri? Do merremi ne të gjithë, se po nuk u morëm ky nuk ka të ndalur.”, tha Berisha.