Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa: Sjellja e policëve ishte e pajustifikuar, nuk mund të ndalojnë çdo njeri në rrugë

0
358

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa ka vënë në pikëpyetje sjelljen e Policisë në lidhje me vdekjen e 32-vjeçarit, Lear Kurti vetëm pak ditë më parë.

I ftuar në Vizion Plus në një intervistë shkurtër me moderatorin Roland Zili, eksperti tha se veprimet e punonjëve të patrullës ndaj 32-vjeçarit ishin të pajustifikuara.

Për sa i përket nisjes së hetimeve për rastin nga Prokuroria ndaj mjekëve dhe policëve, eksperti tha: “Është një nga pistat që duhet të hetohet sepse vetëm kështu do të ishte më kompleks hetimi i kësaj ngjarje e cila ka marrë vëmendje të madhe nga publiku dhe politika, rast ky i përsëritur në rajonet e policisë. Çdo punonjës policie nuk mund të ndalojë çdo qytetar në rrugë. Tani nuk kemi kufizime, kemi një jetë normale, ai qytetar ka qenë në punën e tij.

Ndalimi i tij nga policët është i pajustifikuar. Oficerët kanë thënë se lëvizjet e personit ishin të dyshimta, e futi dorën në xhep, e këta krijuan premisa për ta ndaluar. Por pas kapjes veprimet e policisë ishin jo profesionale e jo humane e kjo mund të ketë shkaktuar një situatë të pakëndshme edhe për pasojat që erdhën nga pas.”

Roland Zili: Si shpjegohet që i riu po merrte serum në urgjencë, ndërkohë që spitali e kishte deklaruar të vdekur?

Fatjon Softa: “Kjo është ajo pjesa që nuk është zbardhur në mënyrë zyrtare. Ajo që ishte për tu shqetësuar ishte fakti që personi në momentin e ndalimit shfaqi probleme shëndetësore, nëse do kshte ato që u thanë duhej t’i jepej ndihma e parë. Nuk duhet të shkonte në komisariat por menjëherë në spital. Arriti në spital ishte i vdekur, pastaj këto veprime të tjera janë për t’i parë nëpërmjet kamerave të regjistrimit si në vendin e ngjarjes, në komisariat dhe spital për të parë se si rrodhi ngjarja. Por kjo është çështje për tu sqaruar sepse është një ngjarje e errët që ka vënë në pozitë Policinë e Shtetit.”

Roland Zili: A ka qenë transparente policia sipas jush në këtë rast por edhe raste të ngjashme?

“Sipas një raporti të vetë AMP, në 5 vitet e fundit kemi 841 raste të dhunës apo denoncime nga qytetarët ndaj punonjësve të policisë. E këto raste kanë ardhur duke u rritur duke ardhur në raste ekstreme me marrje jete. Dhe kjo ka ardhur si rrjedhojë e mungesës së profesionalizmit e mungesës së përgatitjes profesionale. Nuk është punuar në përgatitjen për në terren të punonjësve nga pikëpamja e përgatitjes profesionale dhe psikologjike. Ata punojnë në kushte të vështira në presion, stres, me orare të zgjatura, në kushte të presionit social e këto bashkë kanë krijuar këtë lloj situate që, jo policia e qytetari përball krimit por policia e qytetari përballë njëri-tjetrit.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here