Kurti: Nuk do të lejojmë prekjen e pavarësisë, të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës!

0
158

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se aq që mendohet se Kosova do ta tolerojë prekjen e pavarësisë, të sovranitetit dhe integritetit territorial të saj. Në fjalimin që mbajti para Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti solli në vëmendje se çfarë shkaktoi Serbia dje dhe çfarë po shkakton Rusia sot dhe theksoi ndër të tjera:

“Jemi në një periudhë globale të vështirë. Ekonomia po shënohet nga ajo që cilësohet si polikrizë, krizë e shumëfishtë, ndërsa gjeopolitika është shënuar nga rikthimi i luftës në Evropë.

Menduam se me përfundimin e luftërave që i shkaktoi Serbia në Ballkan, erdhi një paqe e qëndrueshme në Evropë, por ja që siç veproi Serbia dje po vepron Rusia sot.
Këto dy shtete kanë një lidhje historike e kulturore me njëra-tjetrën, në linjat e autokracisë e despotizmit, agresionit dhe gjenocidit.
Kosova në aspektin ndërkombëtar po e bën detyrën e vet, duke u rreshtuar menjëherë e pa asnjë kusht në radhën e vendeve që dënuan Rusinë e që mbështesin pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Natyrisht, le ta dinë të gjithë, kur kërkojmë të respektohet pavarësia dhe integriteti territorial i Ukrainës, as që bëhet fjalë të mendohet se do tolerojmë prekjen e pavarësisë, sovranitetit apo integritetit territorial të Kosovës. Këto nuk janë të diskutueshme asnjëherë, askund për neve.

Sot në botë jemi dëshmitarë që është rikthyer politika fashiste, herë e drejtpërdrejtë, herë e maskuar. Politikë e sponsoruar nga Moska, nga Kremlini, nga Putini.

Pikërisht sot, është rikthyer në plan të parë rëndësia e të qenit antifashistë. Kundër diskriminimeve me bazë gjinore, racore, etnike, fetare, kundër çdo lloj diskriminimi. Lëvizja Vetëvendosje! është partia e vetme parlamentare e cila përqafon një politikë progresiste, socialdemokrate, aktiviste kundër diskriminimeve, aktive për shtet zhvillimor.

Po e kryej këtë fjalim me këto fjali: është sot me rëndësi strategjike të mendojmë në mënyrë afatgjate për organizatën tonë. Jo sot për nesër, as për javën, muajin apo vitin e ardhshëm, por për një qëndrueshmëri edhe dhjetë, apo njëzet vjeçare. Ndryshimet e vërteta, kërkojnë qëndrueshmëri. Qëndrueshmërinë do të na e japë vetëm organizata.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here