Kryetari i Sindikatës së Pedagogëve, Aleksandër Kovaçi, në nisje të javës së dytë të bojkotit të punonjësve të universiteteve publike të vendit, ka lexuar një letër të hapur që i është drejtuar krerëve më të lartë të vendit dhe trupit diplomatik.
Në fjalën e tij, Kovaçi thekson se “megjithëse kërkesat janë të karakterit financiar dhe aspak politik, qeveria është përpjekur ti konsiderojë ato si kërkesa me nxitje politike me qëllim deligjitimimin e tyre dhe lënien pa zgjidhur të problematikës së arsimit të lartë publik. “
Letër e Hapur drejtuar Presidentit të Shqipërisë, Kryetares së Kuvendit, Kryeministrit dhe ambasadave të SHBA e BE-së në vendin tonë.
Prej më se dy javësh, trupa akademike, ndihmëse akademike e IAL në Shqipëri, kanë filluar një protestë që ka në fokus, përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe të klimës akademike publike në Shqipëri. Mbështetja financiare e shtetit për institucionet e arsimit të lartë publik në Shqipëri ndikon në zhvillimin bashkëkohor të shkencës, teknologjisë, panoramës ekonomike e sociale të vendit si dhe në ambicjet e rinisë shqiptare për një edukim universitar sipas standarteve europiane.
Gjykojmë se mungesa e vëmendjes dhe e mbështetjes financiare për një kohë të gjatë nga të gjitha qeveritë ka ndikuar në largimin e rinisë nga vendi në kërkim të një edukimi cilësor. Me të njëjtat motive është larguar edhe një pjesë e stafit akademik, shpopullimi i vendit dhe boshatisja e auditoreve të vendit është çështje e njohur me shtrirje kombëtare.
Megjithëse kërkesat janë të karakterit financiar dhe aspak politik, qeveria është përpjekur t’i konsiderojë ato si kërkesa me nxitje politike me qëllim deligjitimimin e tyre dhe lënien pa zgjidhur të problematikës së arsimit të lartë publik.”