Mbledhjet sekrete të KKT-së, jepen leje për dhjetëra kulla të tjera në Tiranë

0
435

Në datën 16 mars dhe 27 korrik të këtij viti, Këshilli Kombëtar i Territorit ka zhvilluar dy mbledhje sekrete. Ndryshe nga praktika e zakonshme, të dy mbledhjet nuk janë njoftuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit e aq më pak rendi i tyre i ditës. Dhe me sa duket, arsyet se pse u mbajtën të fshehta lidhen me vendimet e marra në to.

Sipas dokumentave paraprakë, në datën 27 korrik, KKT ka marrë të paktën 71 vendime. Një pjesë e mirë e tyre, janë leje për kulla të reja në Tiranë, madje në zonat më të dendura të kryeqytetit duke përfshirë ish-Bllokun.

Në zonën e Bllokut janë miratuar lejet e ndërtimit për të paktën 4 kulla të reja. Kulla e parë është një hotel 12 katësh, i quajtur City Hotel. Subjekti zhvillues për këtë leje është biznesmeni Agim Zeqo dhe kulla do të që do të ndërtohet në kryqëzimin e rrugëve Brigada e VIII-të dhe Vaso Pasha. Sipas dokumentit të rregullores së veçantë, kulla me lartësi prej 51.7 metrash ka një koeficent shfrytëzimi të truallit prej 51.7 për qind dhe intensitet ndërtimi 7.38.

Vendimi i dytë ka të bëjë me miratimin e lejeve të tre kullave të reja, po në të njëjtin vend, vetëm pak metra më poshte, në krah të Bankës Credins. Kullat, të cilat do të jenë përkatësisht me 8, 9 dhe 10 kate do të ndërtohen nga bashkimi i shoqërive Texas Development dhe Daton shpk. E para është kompania e Alban Efthimiut, që njihet si miku i ngushtë i kryeministrit Edi Rama.

Në këtë leje pasojat urbanistike janë edhe më të rënda. Sipas dokumentit të rregullores së veçantë, koefiçenti i shfrytëzimit të truallit do të jetë 70.6 për qind, ndërsa intensiteti i ndërtimit 6.56.

Vec katër kullave të reja në zonën e Bllokut, KKT ka miratuar lejet edhe për 8 kulla të tjera në kryeqytet. Kullat e vendosura në Komunën e Parisit, rrugën Dritan Hoxha dhe afër Arturbinës në hyrje të liqenit do të variojnë nga 12 deri në 17 kate.

Ndërtimet masive të kullave në Tiranë kanë hapur një debat të fortë, jo vetëm pasojat dramatike në shkatërrimin urbanistik të Tiranës, por edhe përdorimin e tyre për pastrim parash në shkallë industriale.

Pak javë më parë, shqetësimin për pastrimin e parave të krimit përmes ndërtimit të kullave e ngriti publikisht edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Shqipëria duhet të vendosë se kush e ka në dorë këtë vend. Do ta kenë njerëzit e zakonshëm? Do ta kenë kriminelët? Kush do të ketë në pronësi tokën tuaj, të gjithë ato hotele dhe kush do të marrë përfitimet,” deklaroi ambasadorja.

Kjo deklaratë duket se ka shënuar dhe një pikë thyerje në marrëdhëniet mes ambasadores së SHBA dhe kryeministrit Edi Rama, që është reflektuar jo vetëm përmes replikave në distancë, por edhe me gjeste më të qarta si largimet e ndërsjellta nga aktivitetet gjatë fjalës së njëri tjetrit.

Por pavarësisht protestave të brendshme për shndërrimin e Tiranës në një fjetore të madhe betoni dhe akuzave të jashtëme për pastrim parash, qeveria duket e vendosur në rrugën e saj për ta mbushur Tiranën me kulla shumëkatëshe. Madje duke dhënë lejë edhe për kompani të lidhura drejtëpërdrejtë me njerëz, të cilët kanë background kriminal në fushën e narkotrafikut./MCN

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here