Borxhet ndaj tatimeve gjatë vitit 2021 u rritën si në vlerë, ashtu edhe në numrin e subjekteve debitore.
Një raport auditimi rregullshmërie i Kontrollit të Lartë të Shtetit vëren se detyrimet e papaguara në tatime u rrit me gati 107 milionë euro përgjatë vitit të kaluar.
Në total, borxhi i subjekteve ndaj tatimeve ka arritur në 1.15 miliardë euro në fund të vitit 2021, nga 1.04 miliardë euro që ishte në fillim të po të njëjtit vit.
Rritje me afërsisht 24 mijë ka edhe numri i subjekteve debitore, që shkuan nga 169 mijë në 193 mijë gjatë vitit të kaluar.
Nga auditimi i KLSH-së konstatohet se stoku i detyrimeve të papaguara rritet me një ritëm më të lartë se mbledhja e detyrimeve të prapambetura. Përgjatë 2021 rritja e detyrimeve është më shumë se dyfishi i 2020-s, kur shifra ishte 46 milionë euro.