Një 46-vjeçar i cili qarkullonte me dokumente identifikimi të falsifikuara është vënë në pranga në Vorë gjatë operacionit policor të koduar “Kuito”.
Policia sekuestroi 1050 euro, 11 500 lekë të rinj, 3 aparate celulare dhe dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin me të cilin qarkullonte 46-vjeçari.
Ai ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Kuito”.
Operacioni ndërkombëtar i koduar “Kuito” u finalizua në shtator 2019, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese greke, në koordinim me zyrën e DEA-s në Athinë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.
Shtetasi G. M. dyshohet se në bashkëpunim me shtetasit A. B., 53 vjeç dhe A. M., 35 vjeç, të dy banues në Durrës të cilët u arrestuan në shtator 2019, do të priste në Durrës, 137 kg lëndë narkotike kokainë, e cila u sekuestrua gjatë operacionit.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe të Krimit Ekonomik, të DVP Tiranë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar dhe në inteligjencën informative për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, kanë organizuar punën për kapjen e tij. Në afërsi të Urës së Gjolës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe arrestuar shtetasin G. M., 46 vjeç, banues në Durrës. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën 1050 euro, 11 500 lekë të rinj, 3 aparate celulare dhe dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin me të cilin qarkullonte 46-vjeçari. Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin G. M., për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, pasi qarkullonte me dokumente identifikimi kosovare, të falsifikuara”, sipas policisë.