Mes datës 20 nëntor të propozuar nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Flamur Noka dhe disa anëtarëve të tjerë të kryesisë së grupit të Berishës dhe datës 12 nëntor, ish- Kryeministri vendosi që protestën kombëtare në bashkëpunim me PL dhe forcat e tjera politike aleate ta caktojë më datë 12 nëntor.
Gazeta “Panorama” ka mësuar se ditën e martë kryesia e PD-së që drejtohet nga ish-Kryeministri ka zhvilluar një diskutim në platformën e komunikimit “Whatsapp” për të vendosur datën e protestës.
Në atë bashkëbisedim mësohet se Flamur Noka është shprehur se data 12 nëntor është data më e afërt për protestë kombëtare, ndërsa data 20 nëntor do të ishte më optimalja. Propozim i mbështetur nga disa anëtarë, por Berisha konkludoi se qytetarët nuk mund të presin më shumë se data 12 nëntor për të dalë në shesh kundër qeverisë.
Në një dalje për mediat ditën e djeshme Berisha ftoi shqiptarët për pjesëmarrje, ndërsa theksoi se ka një kërkesë të shtuar për të reaguar kundër qeverisë.
“Jam sot për të informuar opinionin publik shqiptar në Shqipëri dhe kudo që ndodhet në botë, se opozita shqiptare, Partia Demokratike, Partia e Lirisë dhe forca të tjera opozitare nisin në datë 12 nëntor betejën e madhe kundër regjimit të urryer absolutar, regjimit të narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, regjimit të partisështet, regjimit të Edi Ramës. Në të katërta anët e Shqipërisë po bien sirenat e urrejtjes ndaj monizmit të Edi Ramës, në të katërta anët e Shqipërisë po bien sirenat e alarmit ndaj gjendjes karastrofale të krijuar nga vjedhjet e mëdha dhe të papërmbajtura të fondeve buxhetore, të pasurive publike, të qytetarëve shqiptarë. Vjedhjet e buxheteve familjare nëpërmjet çmimeve të larta. Pabarazisë absolute para ligjit që sundon në Shqipëri. Ka pasur dhe ka një interes të jashtëzakonshëm për protestat dhe përballjen me regjimin e partisë-shtet, i cili në historinë kombëtare është regjimi më antishqiptar pas regjimit të Enver Hoxhës. Unë kam besimin më të madh se të rinj, të rejat e Shqipërisë që ndodhen në vend dhe ata që janë larguar për shkak të pamundësisë së tyre për të përballuar jetën në Shqipëri, burrat dhe gratë e këtij vendi, do bashkohen në protestën më të madhe që ka njohur Shqipëria më 12 nëntor, për t’i dhënë përgjigjen e merituar, Edi Ramës dhe klikës së tij në pushtet”, tha Berisha.
Ndërkohë vetëm pak minuta pasi ish-Kryeministri shpalli datën e protestës, në mbështetje të saj doli edhe kryetari i PL, Ilir Meta, duke shkruar në “Facebook” se ora e demokracisë direkte po afronte. “Mbështetje totale për protestën madhështore të 12 nëntorit. Shqiptarët më të bashkuar se kurrë drejt Referendumit dhe Primareve! Koha e Demokracisë direkte po vjen!”, shkroi Meta.