Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha se çdo deputet dhe demokrat është i detyruar moralisht të jetë në protestën e 22 nëntorit.
“Çdo deputet, çdo anëtar dhe simpatizant i PD, është i ftuar- dhe në vlerësimin tim- i detyruar të marrë pjesë në protestën antiqeveritare, antiregjim absolutar të datës 12 nëntor. I detyruar moralisht.
Ju e shihni rrokullimën e madhe, ju e patë se Shqipëria ka zbritur poshtë Vietnamit sa i përket shtetit ligjor. Vietnami është një shtet që drejtohet nga një parti komuniste, e megjithatë shteti ligjor është më i respektueshëm se në Shqipëri. Çka do të thotë se Vietnami ka një drejtësi më funksionale se drejtësia e kapur nga politika dhe korrupsioni në Shqipëri. Si Vietnami dhe Shqipëria janë vende monopartiake, por i vetmi shkak pse Vietnami është para nesh, se Vietnami nuk pretendon që partia komuniste nuk kontrollon drejtësinë, por Edi Rama ushtron një kontroll të pamëshirshëm mbi drejtësinë.
Ju e patë, Eurobarometri i fundit, qytetarët shqiptarë hidhnin në kosh, reformën sorosiane, e cila shndërroi drejtësinë shqiptare në degë të ekzekutivit,” tha Berisha.
I pyetur se si do shkojë protesta, Berisha tha: “Populli ka shumë mënyra. Cilën do zgjedhë populli është e drejta e tij. Se në protestë ti e thërret, protesta të udhëheq. Kështu që do ndjekim protestën”.
Berisha komentoi edhe marrëveshjen e djeshme mes PD dhe PL.
“Marrëveshja e djeshme është historike. Është marrëveshja që do i japë fund monizmit, është marrëveshja që do nxjerrë nga bashkia njeriun që meriton çdo epitet, njeriu që e shndërroi Tiranën në qytetin me ajrin më të pistë në 10 vendet e fundit në botë. Ajri i ndotur do të thotë kancer, ajër kancerogjen.
Që krijoi në Tiranë me kullat e tij, zonat me dendësinë më maksimale të popullatës, që nuk i gjen në asnjë vend të Europës. Që mashtron në çdo hap qytetarët shqiptarë. Që i vodhi në mënyrë monstruoze. E shndërroi fushën e Sharrës në një minierë floriri për veten dhe Edi Ramën. Këto janë objektivat e marrëveshjes historike mes PD dhe PL,” tha Berisha.