Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit të zhvilluar sot në Bulqizë, foli për vendimin e publikuar sot nga Enti Rregullator i Energjisë, ku u vendos që në muajin nëntor dhe dhjetor do të aplikohet çmimi 44 lekë për fashën 800 KW/orë, nga 42 që u tha më herët.
“Ne kemi vendosur një mburojë financiare, që gjithë diferencën e paguan shteti, për familjet dhe biznesin e vogël.
Pashë sot që ERE kishte nxjerrë një çmim tjetër, 44 nga 42, pra prapë është rritur, por ne do vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë qoftë për familjarët qoftë për çdo biznes të vogël sepse kështu bëjmë edhe tjetrën, mbajmë inflacionin më ulët se vendet e tjera të rajonit pavarësisht se çmimet janë rritur”, tha Rama.
Po ashtu ai u shpreh se do të rriten në mënyrë të ndjeshme edhe gjobat për bizneset e mëdhaja, që sillen në mënyrë të kundraligjshme.
“Është e vërtetë, ne do t’i rrisim në mënyrë të ndjeshme gjobat, por jo për biznesin e vogël. Biznesin e vogël ne e mbrojmë me çmimin e energjisë, nuk i marrim taksa. Thjesht i themi punëso, paguaj sigurimet dhe kaq. Ne nuk do t’i rrisim asnjë gjobë, por ama biznesit të madh po. Mos u sill në mënyrë të kundërligjshme që të mos marrësh gjobë”, tha Rama.