Mjeku Ilir Alimehmeti, i cili shpalli sot kandidaturën në primaret e Partisë Demokratike, thotë se nëse zgjidhet kandidat për Bashkinë e Tiranës dhe fiton zgjedhjet, do të kryejë referendume në lidhje me projektet që do të zhvillohen në kryeqytet.
Në emisionin “Now” në Euronews Albania, Alimehmeti u shpreh se referendumet do kryhen për të marrë mendimet e banorëve të zonave të caktuara, për projekte që prekin përditshmërinë e tyre.
E nëse njerëzit vendosin kundër një projekti të caktuar, Alimehmeti nënvizoi se do të respektohet popullata.
“Ju e dini fare mirë që në kodin tonë, ekziston një pikë, ku mbi një nivel të caktuar, që nuk është e kryetarit të bashkisë, por e kryeministrit vendimarrja. Kemi dy elemente këtu. Njëri element është legjitimiteti, momenti i dytë është se sa i shkon ndesh interesit qytetar, të zonës ku kjo ndërtohet, të atyre që shfrytëzojnë atë zonë.
Në këto raste, do ishte e pranueshme kryerja e referendumeve popullore, në favor apo jo të atij projekti. Nëse popullata është kundër atij projekti, qoftë legjitim, fuqia qëndron te njerëzit”, theksoi ai.