Importet e energjisë, 406 milionë euro për janar-tetor, ulet ndjeshëm rezerva energjetike në kaskadë

0
105

Sigurimi i sasisë së nevojshme të energjisë për të furnizuar vendin gjatë këtij viti i ka kushtuar qeverisë qindra milionë euro. Të dhënat zyrtare të procedurave të prokurimit të publikuara nga KESH dhe të përpunuara nga “Monitor” për periudhën 1 Janar-6 nëntor tregojnë se totali i importeve ka prekur vlerën 406 milionë euro.

Kjo shifër parashikohet të rritet edhe më tej po të kemi parasysh faktin që mbeten ende të pambuluar muaji nëntor dhe ai dhjetor.

Gjasat janë që nëse nuk do të kemi përmirësim të situatës hidrike në vend, importet të kalojnë vlerën 500 milionë euro për vitin 2022, diçka që ishte paralajmëruar edhe më herët në deklarata gjatë këtij viti nga kreu i qeverisë Rama.

Shqipëria është aktualisht në gjendjen e emergjencës së furnizimit me energji e cila u shpall nga tetori i një viti më parë dhe do të shtrihet deri në mes të vitit të ardhshëm.

Sigurimi i energjisë është bërë gjithnjë e më i vështirë për vendin për shkak se kushtet hidrike vijojnë të mbeten problematikë. Pas një përmirësimi të lehtë disa javë më parë tashmë kaskada e Drinit ka “avulluar” pasi prej saj është prodhuar thuajse çdo ditë energji në bazë të nevojave dhe mundësive që ka pasur KESH për të alternuar sigurimin e energjisë në tregun e lirë.

Nga raportimi i të dhënave të kësaj kaskadë në 31 tetor rezulton se rezerva energjetike e mbetur në të është 448 GWh, një nivel ky tejet modest dhe që tregon se nëse situate hidrike nuk përmirësohet në vijim sigurimi i energjisë do të varet kryesisht në import.

Në 31 tetor KESH prodhoi 14 mijë MWh nga kaskada apo mbi 2/3 e sasisë së nevojshme për konsum në vend nga prodhimi në kaskadë.

Niveli i Fierzës në 31 tetor ishte 268 metra duke mbetur kështu poshtë mesatares historike për këtë muaj që sipas të dhënave zyrtare është 273.5 metra. Nëse nuk do të kemi nisje të shirave atëherë blerjet do të jenë në bursë ku luhatja e çmimeve është e lartë.

Çmimet në Bursën e Hungarisë gjatë dy javëve të fundit kanë qenë relativisht të ulëta në raport me mesataren e përgjithshme që ka përkufizuar këtë vit që ka qenë kryesisht mes 250-300 euro MWh. Rënia e kërkesës për energji por dhe kushtet e mira të motit kanë bërë që presioni mbi çmimet të jetë më i ulët dhe për rrjedhojë nga mesi i tetorit e deri në fund të tetorit çmimet mesatare të luhateshin në maksimalisht 200 euro/MWh në 103 euro MWh minimalisht në bandë. Kuptohet kjo sasi ishte më e shtrenjtë për oraret pik.

Gjithsesi çmimet e energjisë për datën 2 nëntor u rritën me 57 për qind për profilin bazë në raport me datën 1 nëntor dhe 77 për qind për oraret e pikut. Kjo rritje e befte lidhet me kërkesën e cila nga data 1 në datën 2 nëntor shënoi rritje me rreth 20 për qind.

Ndërkohë për datën 3 nëntor 1 MWh energji në bazë u shit me 165 euro MWh dhe në pik me 183 euro. Volumi ditor ra me 5 për qind në raport me një ditë më parë.

Ndërkohë për datën 3 nëntor 1 MWh energji në bazë u shit me 165 euro MWh dhe në pik me 183 euro. Volumi ditor ra me 5 për qind në raport me një ditë më parë.

Mbetet e paqartë sesi do të vijojë ecuria e çmimeve në bursë dhe pikërisht bashkuar me situatën problematike hidrike qeveria ka bërë të qartë se nga data 1 nëntor fasha 800 KWh për familjarët është në fuqi.

Në një tentativë për të nxitur kursimin është vendosur se çdo kilovat mbi këtë fashë konsumi do faturohet me 42 lekë për kilovat duke e rritur kështu ndjeshëm koston. Në një reagim Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaroi se nëse do të lihet në fuqi fasha edhe për nëntorin apo jo mbetet të shihet në vijim sesi do të paraqiten treguesit. /Monitor

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here