Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka gjatë një takimi në Kurbin, ftoi qytetarët në protestën e 12 nëntorit para Kryeministrisë, në Tiranë.
Noka tha kjo e shtunë do të çelë siparin e protestave të cilat nuk do të ndalen deri në rrëzimin e Edi Ramës.
Ai foli edhe për përgatitjet e PD për zgjedhjet e 14 majit, duke shtuar se fitorja e bashkisë së Kurbinit nga demokratët dhe shumicës së bashkive në vend, sjell largimin e Edi Ramës.
“Duhet të ngrihemi. 12 nëntor nuk është as më shumë e as më pak një ditë që duhet të tregojë se ne, shqiptarët po ngrihen në këmbë, se po refuzojnë nënshtrimin, refuzojnë të vidhen, refuzojnë bandën në pushtet, refuzojnë regjimin. 12 nëntori do të jetë çelja e një sipari protestash dhe përballje me këtë bandë deri sa ta shporrim. Por nuk është më e vogël përballja edhe këtu në Kurbin, se edhe këtu ka një bandë në miniaturë që kopjon se çfarë bën Edi Rama në qendër. Rruga e parë përballje me regjimin, rruga e dytë përballje me bashkinë këtu për ta çliruar bashkinë këtu dhe për t’i dhënë rrugë rrëzimit të regjimit. Në këto pak ditë, të gjithë së bashku, derë më derë dhe shtëpi më shtëpi, të ngrihemi dhe të japim një leksion të madh, t’i themi Edi Ramës se ditët dhe koha jote kanë mbaruar se nuk mundesh më të bësh atë që ke bërë. Se sot demokratët ka se kush u del për zot dhe sot demokratëve ka kush u prin dhe është detyra jonë t’u prijmë demokratëve dhe shoqërisë shqiptare“, tha Noka.
Noka tha se shqiptarët ngadhënjyen në vitin 1990 mbi regjimin diktatorial, duke sjellë lirinë dhe themeluar Partinë Demokratike.
Sot, shtoi ai, pas 32 vitesh, shqiptarët po përjetojnë sërish një diktaturë, por në një formë më të sofistikuar.
Detyrë e demokratëve është të mbrojnë demokracinë, tha Sekretari i Përgjithshëm i PD, ndërsa përsëriti thirrjen për pjesëmarrje masive në protestën e 12 nëntorit.
“Për ironi të fatit sot pas 32 vitesh jemi në të njëjtat rrethana, por në kushte më moderne. Sot kemi një regjim, por është më i sofistikuar për t’i dhënë vetes imazhin e një qeverisje, por nuk është e tillë. Vota e lirë nuk është e ndaluar me ligj, por është e asgjësuar me ligj dhe me maliq nga Edi Rama. Ndaj është detyrë e jona përsëri, madje nuk është thjesht detyrë, por është mision. Një mision që na e kanë ngarkuar njerëzit tanë, demokratët e thjeshtë, një mision që na e kërkon shoqëria, që na e kërkon koha. Do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur demokracinë në këtë vend, për të shpëtuar pluralizimin nga regjimi dhe për t’i dhënë frymëmarrje Shqipërisë. Në datën 12, si dita e parë e protestave dhe përballjes me këtë regjim, do të jeni të gjithë në shesh si kurrë më parë se ju keni treguar se i dilni zot demokracisë në ditët më të vështira të saj. Nuk ka qenë rastësi që në 97-98, në ditët më të zeza të përballjes me të keqen ishte po Kurbini zemra, drita, shpresa ku filloi të shpërndahej besimi për një fitore. Dhe sot është po Kurbini që do t’i prijë, që do t’i japë shpresë të gjithë Shqipërisë për fitore. Në datën 12 të gjithë në shesh”, përfundoi ai.