Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e stome një takim me gratë e vajzat e Kamzës ku ka folur për çështjet e buxhetit dhe mbështetjen për ata më në nevojë.
Rama tha se kush thotë që vota nuk ka rëndësi, bën një gabim shumë të madh dhe se është pikërisht ajo që sjell në pushtet ata që bëjnë punët e duhura.
Ai shtoi se kur ai ishte në Paris kishte afër një gjimnaz ku shkonte dhe luante basketboll në palestër, e cila sipas tij, nuk i afrohej shkollës së ndërtuar sot në Kamzë.
Rama: Ndërkohë që me shumë dëshirë do të dëgjoja secilën prej jush që mbase ka diçka për të thënë, dua të nënvizoj një gjë që e thashë dhe më përpara në një takim me të rinjtë pavarësisht se në këtë komunikim intensiv që po bëjmë në gjithë Shqipërinë, nuk kemi folur për vota, nuk kemi folur për zgjedhje, këtu do bëj një përjashtim sepse unë mendoj që këtu është shembulli më konkret, më i prekshëm, më ulëritës i faktit se kush thotë që vota nuk ka rëndësi, bën një gabim shumë të madh. Vota ka një rëndësi shumë të madhe.
Sepse është pikërisht vota, e cila vendos se si shkojnë punët, në një mënyrë ose tjetër dhe nuk gabim më të madh dhe nuk ka budallallëk më të madh se sa ajo fjalia “të gjithë janë njësoj , asgjë nuk ndryshon”. Po të ishin të gjithë njësoj, edhe ky kopshti këtu do ishte njësoj siç ishte, edhe 18 shkolla të reja këtu në Kamëz që janë absolutisht të standardeve evropiane, shkolla që ishim sot, ia thashë edhe atyre të rinjve më përpara, se po përsëris veten, ishte një shkollë, – unë në Paris aty ku jetoja, kisha afër një gjimnaz ku shkoja se luaja basketboll në palestër, – nuk ishte jo më e mire, por nuk i afrohej kësaj shkolle që ishim sot në Kamzë. Pra janë shkolla që mund të jenë në çdo qytet të Evropës dhe në çdo qytet të Evropës hyn tek pjesa e shkollave shumë të mira. Tani, po të ishin të gjithë njësoj, ato shkolla do ishin të gjitha njësoj siç ishin, një tmerr, pa folur për kopshte e për çerdhe që këtu as bëhej fjalë. Dhe ça ka ndryshuar? Ka ndryshuar pikërisht kjo, që vota ka shkuar si duhet.