Ashtu siç ishte parashikuar, ditën e sotme pedagogët janë hedhur sërish në protestë kombëtare para Universitetit Politeknik të Tiranës.
Pasi u tërhoqën përkohësisht nga bojkoti i mësimit, pedagogët deklaruan se do të protestonin periodikisht për të kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre, ku njëra prej tyre është rritja e pagave.
Lajmi për protestë e sotme u paralajmërua dhe në rrjetet sociale. Pedagogët deklaruan se nuk janë zmbrapsur. Ata thanë se nuk do të tëhiqen deri në plotësimin e kërkesave.
Në fjalën e saj, pedagogia Mimoza Manxhari tha se protestat nuk janë shuar, por tashmë ka marrë një dimension tjetër më të gjerë.
“Ky është momenti që duhet të reflektojmë. Profesioni i arsimtarit është konsideruar pishtar i dritës. Njeriu i ditur mendohet se ka zjarr, ka energji, ka forcë. Mënyra se si vetë Sindikata e rimodeloi thelbin e lëvizjes, jo vetëm për pagën, që është e rëndësishme, por e zgjeroi. Kjo protesta shfaqet sot më një përmasë të re, për ta shndërruar arsimin si pasuri kombëtare. Pavarësisht numrit prezent, jemi këtu për kolegët tanë që janë në arsim, mendoj që çështja nuk i përket vetëm arsimit , por të gjithë shoqërisë. Jemi këtu për të mbrojtur dijen që është faktor kryesor që transformon shoqërinë”, tha pedagogia.