-Ti pallati 123 psh do të paguash 30 milionë gjobë se i rri shumë ngjitur pallatit 124, kur ne kemi porositur çdo ditë që dhe burri kur nget makinën ta ketë larg gruan, ajo të ulet detyrimisht te sedilja prapa, do hakërrehej ajo.
Në fakt banorët e pallatit majtas e kanë votuar dy herë Erjon Veliajn për kryetar bashkie. Nuk u mjaftoi rrena e katërvjeçarit të parë që ai nuk u solli as ujë 24 orë e as qetësi publike. Kanë një lokal aty poshtë që pa shkuar ora 4 e mëngjesit nuk i mbyllet gryka. E kështu kështu e votuan prapë. Kur dilnin ca muaj para në ballkon, aty ishte pyll me akacje. Pa këndonin zogjtë, pa fëshfërinin gjethet, pa pinin kafe njerëzit në freski. Deri sa një natë, se punët e mira errësirë duan sipas Lalit, erdhën ca fadroma, prenë drurët, morën trungjet, hapën themele dhe vët e vët me hov revolucionar u këndua kënga, lart më lart o shokë katet e betonit/ Mos pyeani për ankesa dhe qarjet e xha Lonit!
E ja, tani në prag të mandatit të tretë Erjon Veliaj do iu shfaqet sërish. Banorët prisnin ujë, ai u solli tulla. Prisnin t’u hiqte plehrat, u hoqi diellin. U premtoi ajër të pastër, u zhduku pyllin. E kur e bëri me këta që e zgjodhën kryetar bashkie mendo se ç’do u punojë kundërshtarëve!
Shqiptarët që e jetuan komunizmin e kanë ende në kujtesë sloganin e zgjedhjeve moniste: “Votat për Frontin-plumb për armikun”.
Këta banorë të fotos,ose mijëra e mijëra si këta, tani përsërisin me vete: “Votat për Veliajn-plumb për qytetarët”.
Pallati majtas votoi për Lalin. Madje dy herë. Lali në vend të falenderimit po i detyron këta qytetarë të zhgënjyer të këndojnë atë këngën e vjetër, që e kënduan dhe prindërit tanë:
“Mora pushkën dola malit,
Të luftoja për atdhe,
Ku ta dija unë i varfri,
Se armiku ishim ne.”