Partia Demokratike është përgatitur të debatojë sot në Kuvend, Buxhetin e vitit 2023, që mazhoranca e ka sjellë për votim.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Luçiano Boçi, paralajmëroi: “Në një Shqipëri të zhytur në krizë, ne duhet të ishim duke diskutuar për paketa ndihmash dhe pagesa lehtësuese për qytetarët shqiptarë, por e kundërta ndodh. PS sjell në Kuvend, një tjetër buxhet të “kopsitur” me qoka dhe favore dhjetra milionëshe për klientët dhe ortakët e ministrave!
PD do të propozojë në seancë plenare amendamente konkrete që u vijnë në ndihmë shqiptarëve. Me besimin se nga protesta e 12 nëntorit, shqiptarët do të bashkohen për t’i dal zot vendit të tyre! Uroj shumë që ky të jetë buxheti i fundit i sjellë në Parlament nga kjo mazhorancë!” theksoi ai.
Dje, në mbledhjen e Grupit të PD, Kryetari Sali Berisha theksoi se “për çdo vend, debati më i rëndësishëm është debati për buxhetin por për Shqipërinë kjo nuk ndodh. Dhe kjo nuk ndodh për dy arsye. Arsyeja e parë është sepse buxheti është i vjedhur para se të votohet. Gjithçka në zëra është falsitet mbasi siç kanë faktuar zhvillimet dhe në mënyrë të veçantë KLSH, ai vidhet në masën më të madhe të tij. Ju jeni dëshmitarë se si në 7 vite sipas KLSH-së janë vjedhur nga Edi Rama dhe ministrat e tij 8.2 miliardë euro dhe u garantoj se ky Buxhet është një fatkeqësi e re tjetër, se prapa çdo zëri të madh qëndon një vjedhje e madhe.”