Kritika edhe nga socialistët: Buxheti nuk frymëzon, legjislaturë shpërfillëse e debat ordiner

0
139

Buxheti i 10 i Edi Ramës nuk hasi vetëm kritikat e opozitës në sallë e parlamentit, por edhe të disa deputetëve nga radhët e tij. Erion Braçe dhe Fatmir Xhafaj, dy eksponentë mes socialistëve, treguan një anë tjetër të projektbuxhetit që hera herës ngjasonte edhe me kritikat e shprehura nga deputetët e opozitës.

“Është absurd që kur flasim për kohë lufte të programojmë disa shpenzime dhe investime si në kohë paqeje…Shtri këmbët sa ke jorganin”, u shpreh Xhafaj.

“Mënyra se si ne buxhetojmë në 30 vjet është kthyer në rutinë. Rutina nuk frymëzon, rutina vdes çdo lloj frymëzimi. Rutina nuk mund t’i japw ekonomisë entuziazmin që ka nevojë në kohë krize, në kohë lufte. Rutina nuk shkon dot larg dhe e këtë e kam me ne”, deklaroi Braçe.

Vërejtet e Xhafajt shkuan përtej shifrave që kishte paraqitur qeveria socialiste, duke marrë më shumë formën e një zhgënjimi nga niveli i debatit brenda sallës së Kuvendit me protagonist kryeministrin Edi Rama.

“Debate bardh e zi që po zhvillohet për mbi këtë temë të rëndësishme reflekton një legjislaturë shpërfillëse, më të dobët se kurrë. Fryma e debatit normal tashmë është zëvendësuar nga konflikti i ashpër politik i ndërtuar mbi batutën fyese, shprehjen përçmuese dhe jo radhë herë ordinere, gjuhën e baltës dhe shpifjes”, theksoi Xhafaj.

Për ish-ministrin e Brendshëm, çfarë ndodh brenda parlamentit ka shkaktuar edhe pesimizmin në shoqëri.

“Kjo sallë dhe çfarë ndodh këtu është një nga arsyet kryesore pse ka kaq shumë pesimizëm, mosbesim dhe dëshpërim jashtë saj dhe veçanërisht tek të rinjtë dhe pse një pjesë e tyre vazhdon e largohen nga vendi”, vijoi deputeti Xhafaj.

Ndërsa Braçe me profilin e tij ekonomik, ngriti shqetësimin e kartelizimit të ekonomisë duke paralajmëruar se një efekt të tillë do të ketë edhe politika.

“Kartelizimi i ekonomisë pasohet nga kartelizimi i tregut të punës. Do të ndodhw që do të vijnë edhe këtu shumë shpejt dhe kartelizimi i politikës është gërryerja më e madhe që mund t’i ndodhw demokracisë”, shtoi Braçe.

Në finale, ish-zëvendëskryeministri sfidoi kolegët e tij socialistë në kabinetin qeveritar, që të hapin krahun nëse dështojnë në realizimin e buxhetit.

“Cila do njësi zbatuese e buxhetit, ministria apo agjenci që dështon këtu duhet të marrë përgjegjësi, përfshirë përgjegjësi politike”, tha Braçe.

Kritikat e dy deputetëve socialistë nuk morën asnjë reagim as nga ministrat, as nga pjesa tjetër e grupit parlamentar, që duket se preferuan heshtjen.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here