Është shtyrë sërish seanca në Gjykatën e Apelit, ku pritej të shqyrtohej sot kërkesa e Enkelejd Alibeajt për bashkimin e vendimeve të Kuvendeve të Partisë Demokratike, të 17 korrikut dhe 18 dhjetorit.
Kjo pasi përfaqësuesi ligjor ka depozituar kërkesë për shtyrjen e seancës. Seanca e radhës pritet të mbahet më 6 dhjetor, në orën 09:30.
“Në vijim të komunikimeve mbi veprimtarinë e Gjykatës së Apelit Tiranë, ju informojmë se seanca e sotme gjyqësore që ishte planifikuar të zhvillohej, kërkesa e Partisë Demokratike, nuk u zhvillua, për shkak se perfaqësuesi ligjor, ka depozituar kërkesë për shtyrje seance. Seanca e ardhshme gjyqësore është caktuar në datë 06.12.2022, ora 09:30”, thuhet në njoftim.
Kjo është vetëm një nga çështjet që përplas dy palët në Partinë Demokratike në gjykatë. Krahas saj, në apel është edhe ankimimi që Enkelejd Alibeaj ka bërë ndaj vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, ku u njohën vendimet e dala nga Kuvendi i 11 dhjetorit 2021.
Në këtë ankimim, Alibeaj kërkon zhbërjen vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri, duke e cilësuar atë si të paligjshëm.
Një tjetër ankim në gjykatë është edhe kërkesa e grupimit të Berishës, të cilët kërkojnë që Alibeaj të mos njihet si palë në shqyrtimin e çështjes së PD.