Banka e Shqipërisë: Mbiçmimi i dollarit dhe çmimet e larta rriten të ardhurat buxhetore

0
89

Në fund të 9-mujorit të ardhurat buxhetore shënuan një nivel prej 425.7 miliardë lekësh, rreth 15.8% më e lartë se e njëjta periudhë një vit më parë.

Zgjerimi i shpejtë i të ardhurave gjatë këtij viti reflekton, në një masë të madhe, rritjen e çmimeve të mallrave kryesore në tregjet ndërkombëtare.

Gjithashtu, një pjesë e rritjes së të ardhurave buxhetore mbi importet e mallrave gjatë këtij viti është ndikuar nga nënçmimi i monedhës vendase kundrejt dollarit, mesatarisht me 9.8%, argumentoi Banka Qendrore në Raportin e fundit të Politikës Monetare.

Grup-mallrat e importit, të cilat kuotohen në dollarë, të tilla si lëndët djegëse, metalet etj., zënë një peshë të konsiderueshme në totalin e importeve në vlerë. Aktualisht një dollar shkëmbehet me 1017 lekë nga 107 lekë në të njëjtën periudhe të një viti më parë.

Të ardhurat buxhetore shënuan rritje me rreth 10% në terma vjetorë, në tremujorin e tretë. Ritmi i rritjes së të ardhurave u ngadalësua në këtë tremujor, nga mesatarisht 19% që rezultonte për gjysmën e parë të vitit. Megjithatë, profili i rritjes nuk ndryshoi me pjesën e parë të vitit, ku pjesa më e madhe e rritjes u formua nga zgjerimi i të ardhurave nga TVSH-ja.

Këto të fundit dhanë një kontribut me 7.4 pikë përqindje në rritjen e totalit. Zërat e tjerë që mbështetën më së shumti rritjen e të ardhurave gjatë këtij tremujori ishin tatimi mbi fitimin, me rreth 1.4 pikë për qind, dhe kontributet për sigurimet sociale, me rreth 2.3 pikë%.

Sakaq, shpenzimet buxhetore u zgjeruan me rreth 4.4% në terma vjetorë në tremujorin e tretë. Rritja e shpenzimeve u mbështet tërësisht në fondin e akorduar prej qeverisë ndaj OSHEE-së, me 8 miliardë lekë.

Mbështetja për sektorin energjetik arriti në 16 miliardë lekë deri në fund të 9-mujorit, nga 28 miliardë lekë e buxhetuar për vitin 2022. Kjo mbështetje synon të ndihmojë bilancin financiar të OSHEE-së, i cili po mbart kostot nga mos përcjellja e çmimeve të larta të energjisë tek konsumatorët familjarë e bizneset e vogla.

Shpenzimet kapitale vijuan rënien edhe në tremujorin e tretë, me rreth 18%. Shpenzimet korrente shfaqën rritje të ngadaltë, me rreth 2.7% në terma vjetorë. Ecuria e shpenzimeve që përafrojnë konsumin e investimet publike për tremujorin e tretë, sugjeron që sektori publik do të vijojë të japë kontribut negativ në zgjerimin e kërkesës agregate, sikurse edhe në dy tremujorët e mëparshëm./Monitor

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here