Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, ka thënë se vendi i tij është i përkushtuar për kërkimin e dialogut të paqes mes Rusisë e Ukrainës. Ai i akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore për provokim të Moskës.
Transmetuesi shtetëror turk, TRT, dhe disa medie të tjera e cituan presidentin Erdogan të ketë thënë: “Perëndimi, e posaçërisht Shtetet e Bashkuara, po e sulmojnë Rusinë, mësa duket, pafundësisht”, pa elaboruar se çfarë ka dashur të thotë me këto fjalë.
Natyrisht, Rusia është duke shfaqur rezistencë të madhe përballë tërë kësaj”- citohet të ketë thënë presidenti turk gjatë një fluturimi me aeroplan nga Uzbekistani, raporton agjencia “Reuters”.
Shtetet perëndimore e kanë armatosur Ukrainën dhe i kanë ofruar forma të tjera të ndihmës. Për më tepër, vendet perëndimore i kanë vendosur sanksione të ashpra Rusisë pas fillimit të pushtimit të Ukrainës.
“Ne po punojmë për atë se si të krijojmë një korridor të paqes këtu, siç e kishim korridorin e drithërave. Ne mendojmë se mënyra më e mirë për këtë është një rrugë nga dialogu në paqe”- tha Presidenti turk, duke shtuar se pikëpamja e Ukrainës do të jetë e rëndësishme.
Turqia, anëtare e NATO-s, ka qenë vend pritës i delegacioneve të Ukrainës e Rusisë këtë vit dhe është përpjekur që të vendosë baraspeshë mes kritikave të saj ndaj pushtimit rus dhe kundërshtimit të sanksioneve ndaj Rusisë./Nacionale