Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj, në një konferencë për shtyp në kryesinë e Kuvendit deklaroi se qeveria jep pasuritë e shqiptarëve pa garë.
Gjithashtu i ndalur tek projekti i Portit të Durrësit, ai theksoi se moskonkurrenca është praktikë e qeverisë Rama.
Pjesë nga deklarata e tij:
Në seancën plenare të ditës së enjte, ne kërkuam me forcë transparencë të plotë për marrëveshjen e Portit të Durrësit. Në përgjigje të kësaj kërkese, një ditë më pas, Kuvendi na vuri në dispozicion dokumentacionin e kësaj marrëveshje. Nga studimi që deputetët e Grupit Parlamentar, së bashku me ekspertët tanë, i kanë bërë materialeve të vëna në dispozicion, kanë rezultuar shkeljet kushtetuese dhe ligjore, si vijon:
Shkelja e neneve 71 dhe 74 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit: MSA-ja, e firmosur në vitin 2006 dhe hyrë në fuqi në vitin 2009, sanksionon se cdo ndihmë shtetërore që shteti shqiptar i ofron sipërmarrjeve të caktuara, e cila shtrembëron apo dëmton konkurrencën është në kundërshtim me këtë Marrëveshje. Përcaktimi me ligj të posacëm i të drejtave dhe privilegjeve që një sipërmarrje private përfiton për realizimin e një projekti publik, përbën një shkelje flagrante të MSA-së. Lidhur me praktikën e ligjeve speciale, Komisioni Evropian është shprehur në dy raste, ligji për Teatrin Kombëtar dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke konstatuar se përcaktimi me ligj i operatorëve që përfitojnë kontrata publike është në shkelje të detyrimeve që Shqipëria ka në kuadër të MSA-së. Në rastin konkret, pa asnjë lloj gare, konkurrence apo transparence, qeveria shqiptare ka përcaktuar sipërmarrjen private që gëzon të drejtën për të zhvilluar projektin e portit të Durrësit.
Shkelja e nenit 11 dhe 18 të Kushtetutës: Kushtetuta garanton lirinë e veprimtarisë ekonomike, ku përfshihet edhe konkurrenca, dhe mbrojtjen në mënyrë të barabartë të pronës publike dhe private me ligj. Në rastin konkret, rezulton se jo vetëm është cënuar liria e veprimtarisë ekonomike dhe konkurrenca, por edhe mbrojtja që duhet të gëzojë prona publike. Kushtetuta përcakton se kufizimi i kësaj lirie mund të bëhet vetëm me ligj dhe për interesa publikë. Pra, kufizimi i kësaj mbrojtje që ofron Kushtetuta mund të ishte e lejueshme vetëm për sa kohë është përcaktuar me ligj dhe bëhet për interes publik. Sic do të shohim në vijim, është e qartë se në rastin konkret nuk mbrohet interesi publik, përkundrazi cënohet rëndë. Ndërkohë, përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe kontributi në strehimin social, është një trajtim i diferencuar që diskriminon padrejtësisht të gjithë ndërtuesit e qytetit të Durrësit, të cilët për zhvillimin e një projekti ndërtimi janë të detyruar t’i paguajnë këto detyrime.
Leverdia ekonomike: Pyetje që me të drejtë mund të ngrejë cdo qytetar, është cila është leverdia ekonomike që ka shteti shqiptar për realizimin e këtij projekti. Për të kuptuar leverdinë, do të na duhet të kuptojmë se cfarë ofron shteti shqiptar dhe cfarë merr në këmbim. Nga përllogaritjet e bëra mbi dokumentacionin zyrtar rezulton se shteti shqiptar nëpërmjet dhënies së truallit, ndërtesave, përjashtimit nga taksat e ndikimit në infrastrukturë dhe strehimit social, si dhe heqja dorë nga fitimet vjetore të Portit Durrës, heq dorë nga 630 (628.45) milionë Euro. Ndërkohë, sipas biznes planit, në kushte ideale në përfundim të projektit, shteti shqiptar përfiton 280 milionë euro. Pra, diferenca ndërmjet asaj që shteti ofron me atë që merr në këmbim është 350 (348.45) milionë euro humbje.