Ilir Alimehmeti, një nga kandidatët e primareve të PD-së për të fituar bashkinë e Tiranës, i ka bërë thirrje sot mbështetësve të tij që të marrin pjesë në prezantimin e kandidatëve të PD-së për Tiranën më datë 19 nëntor.
“Miq, anëtarë dhe dashamirës të degës 1 dhe të degës 2 të Tiranës, ju ftoj të merrni pjesë në prezantimin me kandidatët për Tiranën. Takimi zhvillohet nesër, datë 19 nëntor, ora 11:00 te Fusha e Ali Demit. Mirë u takofshim!” shkroi Alimehmeti në Fb.
Më 2 nëntor, Ilir Mehmeti e prezantoi zyrtarisht veten si kandidat krahas politikanëve të tjerë nga radhët e PD-së, për t’u zgjedhur nga primaret si përfaqësuesi zyrtar i PD-së përballë socialistit Erion Veliaj në zgjedhjet vendore.
“Unë jam Dr. Ilir Alimehmeti, mjek dhe pedagog, lindur në Tiranë në vitin 1979, nga dy prindër mjekë me eksperiencë përkatësisht mbi 40 dhe 50-vjeçare; përveç kulturës së punës dhe shërbimit ndaj personave në nevojë, ndërgjegjja qytetare e të cilëve u shpalos edhe në angazhimet politike në Partinë Demokratike, ku, ndër të tjera, kanë shërbyer më parë si deputetë, kandidatë për deputetë dhe këshilltarë në këshillin bashkiak të Tiranës….
…Me të njëjtën ndërgjegje qytetare, me të njëjtat vlera dhe me të njëjtin seriozitet, duke ndjekur hapat e prindërve të mi më parë, vij para jush për t’ju dedikuar plotësisht Tiranës dhe komunitetit të saj, pasi Tirana jonë është e sëmurë dhe në gjendje krize miqtë e mi” u shpreh Alimehmeti në deklaratën e parë zyrtare.