Sali Berisha ka dalë sot me disa libra në duar nga Panairi i Librit që mbahet në Tiranë dhe kureshtja nuk i ka lënë gazetarët për të parë se çfarë lexon, kreu i opozitës kur është vetëm, në qetësi të plotë. “Keni disa libra në duar…” i tha njeri prej tyre.
Dhe Berisha tregoi: I mora disa, bleva disa, i bleva pa diskutim. Këtu në panair pati mjaft që donin të dhuronin. Në panair librat blihen, nuk merren dhurata në panaire!
Kam blerë një botim të plotë të bibliotekës françeskane të Anton Patër Harapit; kam blerë libra të shkrimtarit tim të dashur, Markez; kam blerë libra për fëmijë, për nipin tim dhe një seri librash.
Mora një libër të një ish-shoqes sime në vitet e para të fakultetit, Ana Cohen. Ana është një mjeke në fakt, por që është edhe shkrimtare tani, me origjinë hebreje nga Vlora, por në Nju Jork ajo u shndërrua në një nga aktivistet më të zjarrta të çështjes shqiptare dhe një avokate e vërtetë e shqiptarëve dhe prandaj e mora librin e saj për të lexuar se çfarë ka.