Janë dy futbollistët që kanë karakterizuar me golat dhe talentin e tyre një epokë, pothuajse dy dekada ku të dashuruarit pas sportit më të ndjekur në botë kanë qenë të ndarë në ithtarë të njërit apo tjetrit, talentit të kristaltë kundër fizikut dhe vendosmërisë të pathyeshme.
Dy “jashtëtokësorët” e fushës së blertë kanë deklaruar gjithmonë një respekt të ndërsjellët, por jo një simpati personale.
Por sot ata po thyejnë rrjetet sociale, pasi në të njëjtin moment kanë shpërndarë një foto të tyren, së bashku, teksa luajnë…shah.
Një foto artistike, e fotografes se njohur Annie Leibovitz, për shtëpinë luksoze të modës franceze, Louis Vuitton.
Titulli i fotografisë është domethënës, “Victory is a State of Mind”, (Fitorja është një gjendje e mendjes), dhe është padyshim fotografia më e komentuar e momentit, diçka jo e vështirë duke llogaritur se portugezi Ronaldo vetëm në Instagram ka 498 milionë ndjekës, ndërkohë që argjentinasi Messi ka 375 milionë.